Shkëmb Manaj, kandidat i LDK-së për deputet, në një intervistë për Blic Interview me Astrit Gashin, ka folur për reformat në drejtësi nga qeveria, vetingun e ligjin për konfiskim të pasurisë.
Ai ka thënë se vetingu duhet të jetë i pjesshëm dhe jo i plotë.
“Këta kanë ardhur në pushtet me njërën nga shtyllat kryesore të reformës në drejtësi dhe kanë dështuar totalisht në kryerjen e kësaj reforme. Jo vetëm që s’kanë bërë hapa para por na kanë kthyer mbrapa. Sipas rekomandimit të Komisionit të Venecias nuk është i nevojshëm vetingu i plotë. Do ta kemi të pamundshëm ta bëjmë. Mund ta bëjmë vetëm të pjesshëm, që përfshin institucionin e KPK-së dhe KGJK-së dhe gjyqtarët dhe prokurorët nuk do t’i nënshtrohen vetingut, kjo qeveri me qasjen e vet na ka kthyer mbrapa në reformën e drejtësisë. Secila qeveri që vjen është e obliguar që t’i hyjë një vetingu të pjesshëm”, ka thënë ai.
Sipas tij, qeveria do që ta kapë sistemin e drejtësisë.
“Kjo ka ndodhur për shkak të qasjes së qeverisë. Këta duan ta kapin sistemin e drejtësisë dhe nuk duan reforma dhe kjo qasje na ka kthyer mbrapa”, është shprehur Manaj.
Ai përmend votimin e LDK-së pro ligjit për konfiskim të pasurisë, që thotë se ka qenë politik.
“Te konfiskimi i pasurisë përmes procedurës civile, mendoj që është votuar nga deputetët e LDK, edhe pse ka pasur shumë defekte dhe kemi konsideruar se mund të ketë edhe elemente kundërkushtetuese. Ka qenë vlerësim i grupit që e ka votuar, ka qenë më shumë aspekti politik. Por kjo qeveri është dashur t’i qaset përmes konfiskimit të pasurisë përmes procedurës penale. Nuk mund të konfiskohet pasuria civile dhe të dërgohet te ata prokurorë që këta thonë se janë të kapur. Këtu ka më shumë elemente të propagandës politike që ne po tentojmë që kemi pengesa dhe nuk po na lejojmë që ta kryejmë punën”, ka theksuar ai.
Kandidati për deputet tregon shtyllat në drejtësi që do t’i bëjë reformë LDK nëse vjen në qeveri.
Si të parën ai përmend vetingun e pjesshëm.
“Shtylla e parë është vetingu, do ta përfundojmë atë të pjesshmin. E kryen një pjesë të punës, sepse nëse ne i rregullojmë hallkat drejtuese të sistemit të drejtësisë, ajo reflekton poshtë. Por duhen edhe punë shtesë. Duhen reforma në drejtësi. Një pikë tjetër shumë e rëndësishme qendra shtetërore e hetimeve. E kemi në plan themelimin e kësaj qendre, njësi e veçantë e Policisë që do t’i përgjigjet direkt Prokurorisë Speciale”, shton Manaj.
Sipas tij, VV në qeveri s’ka dashur ta luftojë krimin e korrupsionin e as të bëjë reforma në drejtësi.
“Njësitet e tashme nuk mjaftojnë sepse këto njësi janë të ndërlidhura me sistemin brenda policisë. Ky mekanizëm duhet të bëhet, sepse ndryshe nuk ka luftë kundër korrupsionit. Kjo qeverisje aktuale nuk ka pasur vullnet për ta luftuar korrupsionin, asnjë mekanizëm shtesë, as buxhet shtesë, asnjë rast nuk është i luftimit të krimit dhe korrupsionit. Nuk ka pasur pengesë nga opozita por ka pasur mungesë të madhe të vullnetit. Njëjtë si në nivelin nacional, e njëjta qeverisje është edhe në komunën e Prishtinës, ku VV ka qeverisur për 8 vjet”, ka deklaruar Shkëmb Manaj./Gazeta Blic/