Kandidati i LDK-së, Besim Mulaj, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me përdorimin e kontratave njëburimore në Kosovë, të cilat tani janë bërë një praktikë e zakonshme dhe përbëjnë një shumë prej rreth 300 milionë eurosh.
Por, Mulaj në Blic Interview me Astrit Gashin shprehu edhe një tjetër shqetësim, atë të kontratave “sekrete” ku për këtë merr shembull një rast konkret.
“Kontratat njëburimore tash janë bërë modë dhe janë diku rreth 300 milionë euro. Janë një pjesë e veçantë e tyre që nuk dihet në çfarë forme janë zhvilluar dhe nuk dihet cilat çmime janë marrë. Problemi është tek disa kontrata tjera të cilat nuk i dinë askush, përveç zyrtarave të cilët i kanë zhvilluar. Disa kontrata që dikush po I quan konfidenciale, dikush sekrete”, tha Mulaj.
“Një rast konkret është kontrata për ndërtimin e statcionit policer në veri, më saktësisht në Zubin Potok. Kjo nuk ka as njoftim për kontratë, as për dhënie të kontratës dhe as për nënshkrim të saj. Në këtë rast, ne nuk e dimë se si janë zhvilluar këto procedura, kush i ka zhvilluar e kush I ka nënshkruar”, shton Mulaj.
Ai e ka cilësuar këtë si një shembull të abuzimit me procedura konfidenciale, të cilat po përdoren në mënyrë të padrejtë edhe për projekte që nuk kanë nevojë për nivel të tillë fshehtësie, si ndërtimi i rrugëve të zakonshme.
“Procedura konfidenciale mund të jenë diçka që lidhet me AKI-në, apo armatimi I FSK-ja, jo procedurat e rëndomta. Në këtë rast mbyllet konkurrenca, por nuk dihet as çfarë baraza në trajtim është bërë”, tha Mulaj.
“Kemi informacione, që edhe për rrugë kanë zhvilluar procedurë konfidenciale.Pra, bëhet fjalë për rrugë të rëndomta, nuk e dimë ende të saktën dhe presim t’I marrim edhe ato informacione, por diçka e tillë është jashtëzakonisht gabim”, shton ai.
Mulaj ka kërkuar që këto praktika të ndalen dhe të sigurohet transparencë e plotë në çdo proces të zhvilluar me fondet publike.


