• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Unaza e Jashtme e ‘shpëton’ Prishtinën nga kolonat – Ligjin e tatimit në pronë do ta rishikojmë javën e parë të qeverisë”

11/30/2024 18:54
nga:G C

Alban Zogaj, nënkryetari i Komunës së Prishtinës dhe kandidat i LDK-së për deputet, ka komentuar disa nga çështjet më të rëndësishme që ndikojnë në zhvillimin e Prishtinës dhe ekonominë e Kosovës.

Në një deklaratë të fundit për Blic Interview me Astrit Gashin, Zogaj ka theksuar rëndësinë e projektit të Unazës së Jashtme të Prishtinës, një projekt me vlerë 350 milionë euro, dhe ka shprehur shqetësimin për vonesat në realizimin e tij.

“Unaza e Jashtme është një prej projekteve më të mëdha të Prishtinës, është projekt 350 milionë euro dhe krejt çka pritet është një nënshkrim i Ministrit të Financave si garancion për këtë kredi të Prishtinës, këtë nuk po e bën me arsyetimin se “për momentin ky nuk është prioritet i vendit”, tha Zogaj.

“Qysh është e mundur një projekt i tillë i cili është përtej Prishtinës mos me qenë prioritet i vendit. Krejt kjo dyndje e veturave do të lirohet nëse ne e kemi Unazën e Jashtme të qytetit, këtë e thonë të gjithë ekspertët e trafikut dhe ekspertizat që ne i kemi bërë”, shtoi ai.

Zogaj gjithashtu ka vlerësuar përparimin në realizimin e investimeve kapitale, duke theksuar se janë arritur 50% e investimeve për këtë vit, një tregues i përmirësimit krahasuar me vitin e kaluar.

“Sot, kemi arritë në 50% të investimeve kapitale, kjo nënkupton që jemi më mirë se sa në vitin e kaluar dhe shpresojmë që deri në fund të vitit të arrijmë në 60%”.

Një tjetër shqetësim që Zogaj ka ngritur është rritja e tatimit në pronë, e cila ka krijuar vështirësi të mëdha për qytetarët e Kosovës.

Zogaj ka bërë të ditur se një nga premtimet e LDK-së është rishikimi i ligjit të tatimit në pronë. Ai ka theksuar se gjatë javës së parë të qeverisjes së re, partia do të angazhohet për një analizë të plotë të ligjit dhe për ndryshimin e tij në mënyrë që të lehtësohet barra tatimore për qytetarët.

“Ligji i fundit i tatimit në pronë, neve na bëri shumë dëme. Kjo falja e fundit e tatimit në pronë dhe rritja e faturës na ka krijuar telashe shumë të mëdha. Jemi në një krizë ekonomike ku ka pasë një inflacion të jashtëzakonshme, në këtë kohë të krizës, me i rritë edhe faturat e tatimit në pronë, ka qenë tepër e dëmshme dhe e pa analizueshme mirë. Këtu përgjegjësi të plotë ka Ministria e Financave”, tha Zogaj.

“Ne kemi qenë kundër dhe një prej zotimeve tona është që në javën e parë të qeverisë sonë do ta rishikojmë Ligjin e tatimit në pronë”, përfundon ai.