• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“S’ka rrezik për ndryshim të kursit amerikan”/ A mund t’i ofrojë Trump Kosovës shkëmbim territoresh? – Flet Avdullah Hoti

11/08/2024 22:15
nga:G B

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk beson se ka frikë në Kosovë nga zgjedhja e Donald Trump president i SHBA-ve.

Ai shton se për Kosovën s’ka rrezik për ndryshim të kursit amerikan.

“Nuk besoj se ka frikë nga Trump në Kosovë. Ka pasur një fushatë mediale dhe jashtë Kosovës për një pasiguri që mund të krijojë administrata e re Trump. Për mendimin tim, pres që kjo administratë do të jetë shumë më pragmatike jo vetëm problemet në Kosovë por gjithandej botës ku ka vatra të krizave dhe të luftërave që janë nëpër botë, pra një qasje shumë më pragmatike në adresimin e këtyre, pa lëvizur fare nga parimet e politikës së jashtme të SHBA-ve. Plus, sa për Kosovën, ne jemi në hemisferën perëndimore dhe s’ka rrezik për kurrfarë ndryshimi të kursit amerikan karshi Kosovës. Por ne duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë, e para të jemi të besueshëm, të jemi serioz, të jemi kredibilë në adresimin e çështjeve”, vlerëson Hoti në Blic Interview.

Lidhur me pritjet për politikën e jashtme të SHBA-ve, ai thotë se pret qasje shumë më pragmatike për mos t’u zvarritur gjërat.

“Nuk marr guximin se mund të mos jem në gjendje të interpretoj politikën e jashtme të tyre, atë që e thashë më herët, unë pres që të ketë vazhdimësi të politikës së jashtme në kuadër të parimeve që i ka politika e jashtme e SHBA-ve për integrim të Ballkanit Perëndimor komplet dhe të Evropës Qendrore komplet në aleancën euroatlantike. Pres qasje shumë më pragmatike për të mos u zvarritur gjërat siç janë zvarritur këto vite”, thotë deputeti.

Por, a pret Hoti që Administrata Trump të trokasë me Asociacion apo do t’i ofrojë Kosovës shkëmbim territoresh?

“Dialogu për shkëmbim territoresh asnjëherë nuk ka qenë i formalizuar, mund të ketë pasur ide poshtë e lart, edhe të diplomatëve të lartë por procesi i dialogut zhvillohet nga bartës të institucioneve të shtetit të Kosovës. E di që edhe në qeverinë e Isa Mustafës, edhe sa kam qenë vet kryeministër, asnjëherë nuk është shtruar kjo çështje, sepse qëndrimi jonë ka qenë i qartë në këtë drejtim, që ne duhet ta përfundojmë procesin e dialogut pa e cenuar rendin kushtetues dhe tërësinë territoriale të vendit, duke i zbatuar standardet më të larta sa i përket të drejtave të komuniteteve dhe unë besoj që kjo formulë duhet të insistohet nga Kosova dhe nuk besoj se do të sfidohet nga aranzhime që nuk janë në interesin më të mirë të Kosovës dhe as stabilitetit rajonal”, potencon ai.

Po ashtu, Hoti ka treguar se a mban ende kontakte me administratën e Trump.

“Kam vazhduar të mbaj kontakte me administratën e presidentit Trump në vazhdimësi gjatë këtyre 4 viteve”, thotë ai.

Mirëpo, thotë se kontaktet kanë qenë për hir të respektit e bashkëpunimit, ndërsa që tani pret të formohet ekipi në Shtëpinë e Bardhë e të shihet kush çfarë përgjegjësie do të marrë.

“Nuk mund të them. Kontaktet janë mbajtur për hir të respektit dhe bashkëpunimit që kemi pasur. Nuk është se ata kanë ndarë mandej me mua ide rreth kësaj çështje. Ata kanë qenë në opozitë tash e 4 vite. Të shohim tash ekipi që do të formohet në Shtëpinë e Bardhë, kush çfarë përgjegjësie do të marrë. Unë pres që institucionet e Kosovës në veçanti pas zgjedhjeve, të formohet një qeveri e përgjegjshme, me orientim të qartë pro-perëndimor, me njerëz kredibil, nga kryeministri dhe nga njerëz e të tjera në kabinet qeveritar, sepse kemi parë prej kryeministrit e ministres së jashtme, e presidentes, e anëtarëve tjerë të qeverisë deklarime shumë joserioze që e bëjnë Kosovën të shihet me shpërfillje”, shton Hoti.

“Unë tentoj të besoj që në marrëdhëniet ndërshtetërore këto gjëra tejkalohen sepse shihen interesat kah po lëvizin por nuk duhet të harrojmë që bartës të institucioneve janë njerëzit dhe njerëzit kanë emocione, historik dhe mund të ndikohen nëse ti në mënyrë sistematike, institucionale si parti politike në qeveri e ke sulmuar një person pa asnjë të drejtë dhe e ke bërë atë pjesë të debateve të brendshme për kalkulime politike”, deklaron Avdullah Hoti./Gazeta Blic/

11/16/2024 09:58

Besnik Tahiri e ‘ngel’ Qeverinë Kurti – nuk u vendos as nota kaluese shumicës së ministrive