“Kosova tani nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave”, ka thënë zyrtarja për informim në Këshillin e Evropës, Estelle Steiner.
E pyetur për më shumë detaje rreth procesit të 16 majit ku pritet apo jo anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, Steiner tha për GazetaBlic se nuk kanë më shumë informacione deri më tani.
“Kosova tani nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave. Nuk kemi më shumë informacion në këtë fazë”, tha Steiner për GazetaBlic.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Ai ka thënë se Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin.
“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel e jo në Strasburg”, tha Kurti.
Ai ka thënë se pavarësisht votimit pozitiv nga asambleja e KiE në prill të këtij viti që Komiteti i Ministrave ta ftoj Kosovën të bëhet anëtare e plotë, në këto javët e fundit janë përballur me një kusht të ri që sipas kryeministrit nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë.
“Pas kushtit që të zbatohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, ne dëgjuam se ka kryeqytete që po kushtëzojnë procesin e anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Kushtetuese. Ky dokument i sjell tek ne nga emisari i BE-së Miroslav Lajçak së bashku me këshilltarët diplomatikë të shteteve të QUINT-it nuk u pranua më 26 tetor të vitit të kaluar. Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhet pjesë e pakos së marrëveshjes bazike të Brukselit aneksit të Ohrit dhe të nënshkruhet për tu bërë ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm por u refuzua nga Serbia”, ka deklaruar Kurti.
“Kosova humbi anëtarësimin në KiE”, “U krijuan parakushte për zgjedhje të parakohshme”
Ish-deputeti i VV’së: Qeveria e Kosovës do ta rrezikojë anëtarësimin e Kosovës në KiE
Pantina e LDK-së: Masat ndëshkuese të BE-së do t’i vuajnë komunat dhe qytetarët