Për dallim nga Edita Tahiri, ish- kryenegociatori tjetër në dialogun Kosovë- Serbi, Skender Hyseni ka një mendim tjetër për rolin e Lajçakut në procesin e bisedimeve.
Ai thotë për emisionin “Expose” se sulmet që po i bëhen Lajcakut nga qeveria aktuale e drejtuar nga Albin Kurti se kinse ai po anon nga Serbia, bëhen me qëllimin e vetëm që t’i iket përgjegjësisë nga dialogu.
Hyseni tregon se ai kur e kishte udhëhequr dialogun, Lajcak ishte i pajtimit që formula e marrëveshjes për normalizim ishte njohje reciproke.
“Në kohën kur unë e kam udhëheq dialogun, Lajçak ka qenë i pajtimit që formula e marrëveshjes për normalizim është njohja reciproke. Nuk ka asgjë më lehtë të thuash se dikush është tradhtar, e tjetri pro-serb. Në politikë nuk lejohet kjo”, thotë ai për “Expose”.
“Madje edhe nëse zyrtarët aktual kanë fakte të prekshme se Lajçak është pro serb, nuk është diçka që duhet të thuhet publikisht. Këto duhet të thuhen në biseda sekrete e konfidenciale. Deklaratat e Qeverisë për Lajçakun i marrë si përpjekje të Qeverisë për të ikë nga përgjegjësia”, tha ai, raporton Gazeta Blic”.