Burim Ramadani, ish kryeinspektor i AKI-së, ka thënë se ka pasur paralajmërime për sulmin që ndodhi në veri.
Ai në BlicInterview u shpreh se ka pasur paralajmërime për trajnime të grupeve në Rashkë, pasi nga ana e Lajçak e Vuçiq në takimin e fundit.
“Paralajmërimet për grupe të cilat janë duke u trajnuar në Rashkë kanë qenë edhe publike muaj më parë. Paralajmërimet për eskalim të rrezikshëm të situatës në formën më brutale dhe banale kanë ndodhur pas dështimit të raundit të bisedimeve të 14 shtatorit, ku edhe ndërmjetësi Lajçak, e ka thënë se do të ketë rrezik të madh të sigurisë në veri. Sigurisht që edhe ata kanë informacione për të cilat i kanë dhënë ato dhe tashmë po del që kërcënim të tillë ka dhënë presidenti Vuçiq edhe gjatë takimit se mund të ketë situata të tilla. Pra, unë nuk besoj se institucionet në Kosovë apo edhe ndërkombëtarët kanë mundur të gjenden në fazë totalisht të mjegullt me mundësinë e këtij akti terrorist”, thotë ai.
Por, sipas tij, KFOR-i duhet të përgjigjet se sa ka arritur ta mbrojë Kosovën nga futja e gjithë atij armatimi, pasi sipas tij, tërë ai armatim s’është futur brenda një dite.
“Porse, pyetja që sidomos KFOR-i duhet të përgjigjet është se sa është i gatshëm dhe sa ka arritur ta mbrojë Kosovën nga futja e gjithë këtij armatimi, sepse futja e një armatimi të tillë, nuk besoj që mund të futet për një ditë të vetme, ka mundur të ndodhë për periudha të caktuara përgatitore dhe si të tilla një përgjegjësi goxha e madhe shkon në atë që quhet “Mbi shikimi ose vëzhgimi i terrenit në tërësi”, thekson Ramadani.
Ai thotë se ka pasur informacione publike se ka grup që po përgatitet për sulme të tilla terroriste.
“Po i referohem fakteve publike pasi ka pasur edhe konferencë për media nga institucionet e Kosovës që kanë përcjellë informacione të sektorit të sigurisë se ka grup që është duke u përgatitur dhe i cili ka synim që të zhvillojë akte të tilla terroriste”, shton ish kryeinspektori.
Sipas Ramadanit, grupi terrorist ka dështuar për shkak të disa gabimeve që bëri.
“Unë besoj se kjo dështoi për shkak të disa gabimeve, fatmirësisht për ne, edhe konceptuale edhe operacionale ka pasur ky grup. Së pari, besoj se Vuçiq, Vulin dhe të tjerët e kanë keq lexuar situatën dhe raportin mes institucioneve të sektorit të sigurisë së Kosovës me KFOR-in, EULEX-in, SHBA-të, sepse Kosova mund të ketë probleme ose mospajtime politike porse dallimi mes politikës dhe sektorit të sigurisë në Kosovë është i qartë, për dallim që në Serbi edhe mund të jetë e kundërta dhe besoj që Serbia e ka keq lexuar këtë situatë dhe duke menduar që reagimi i Policisë mund të ndalet nga KFOR-i, në mënyrë që ata të vendosin një terren të lirë, në të cilin do të mund të negocionin apo edhe mos të negocionin por të vazhdonin me veprime tjera. Gabimi i dytë mendoj se ka qenë se ata nuk e kanë vlerësuar saktë kapacitetin e vërtetë profesional të sektorit të sigurisë në Kosovë. Pra, kapaciteti, teknologjia e sektorit të sigurisë në Kosovë është shumë më e madhe”.
Ai përmend edhe gabimin e tretë që bëri grupi terrorist.
“Kapacitetet e Kosovës kanë avancuar për të mirë dhe bashkëpunimi sikur u bë e ditur në këtë operacion ka qenë perfekt. Dhe gabimi i tretë është inkriminimi që Serbia po ia bën vetes për të cilën është e mirë për ne sepse ajo është e vërteta porse informacioni i brendshëm në të cilin nëse e shohim se çfarë po thotë Vuçiq, ai është duke e dhënë fare qartë se ka pasur informacion nga grupi, rrjedhimisht grupi ka qenë përgjegjës që t’i raportojë dikujt në shtetin e tij dhe ky lloj raportimi edhe mund të bie në sy, në vesh nga partnerët ndërkombëtarë dhe ajo është një nga elementet më bazike për të vepruar në formën e saktë dhe mënyrën e duhur”, shton Ramadani.
Ai u përgjigj edhe në pyetjen se a mendon se a ka pasur te inflirtruar nga Kosova ose aleatët që e parandaluan planin ende pa nisur.
“Nuk e di por një gjë jam i bindur, se një organizim i tillë është vështirë të kalojë pa u vërejtur sepse edhe mos vërejtja nga Serbia e bën shtet jokredibil dhe Kosova e partnerët janë shtete kredibile dhe një organizim i tillë diku në botë vërehet, e pamundur të organizohet pa u vërejtur”, thotë ai.
Ndërsa, Ramadani mendon se rasti në veri nuk mund të krahasohet me rastin e Kumanovës, duke shtuar se suksesi i plotë i Kosovës do të ishte nëse do të kapeshin Radoiçiq dhe të tjerët janë larguar nga Kosova, e të silleshin para drejtësisë.
“Mendoj se janë raste të ndryshme me rastin e Kumanovës, nuk kanë asnjë lloj krahasimi pasi këtu ka qenë organizimi i pastër i shtetit. Nuk është mirë që Radoiçiq dhe të tjerët janë larguar nga Kosova. Suksesi i plotë i këtij operacioni do të ishte zënia e secilit prej tyre, arrestimi dhe vendosja para drejtësisë. Kosova nuk e ka arritur suksesin e plotë por ka arritur sukses të dukshëm që gjatë tërë këtij operacioni gati 24 orësh nuk ka pasur dëme kolaterale, por suksesi i plotë do të ishte kapja e Radoiçiqit dhe secilit terrorist sepse për mua secili është terrorist i paguar nga shteti i Serbisë, i pajisur nga shteti i Serbisë dhe pastaj Radoiçiq mund ta ketë pasur rolin kryesor në këtë grup paramilitar”, shprehet Burim Ramadani./Gazeta Blic/