Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, në Blincinterview me Astrit Gashin, duke komentuar qëndrimet se LDK nuk po arrin të ndërtojë një narracion të sajin opozitar, tha se mungesa e kalkulimeve zgjedhore nganjeherë është maturi që partitë politike e shfaqin, në momente kritike për shtetin.
“Ne e kuptojmë se në çështje të caktuara ndoshta mundemi me i mbushë rrugët e Prishtinës me protestues, por për momentin është e rëndësishme ta evitojmë krizën në veri. Dhe ne po mundohemi që me narracionin që kemi krijuar, po dalim në intervista, po dalim në Kuvend. Ne për momentin e kemi kuptuar se për shkak të një narracioni që i ka kap masat në shenjë solidariteti me diçka që unë besoj që shpejt ka me u venitur, ne po i flasim njerëzve racional . Dhe kam besim se ekziston një masë që nuk është për tu injoruar e njerëzve racional që po kuptojnë narracionin tonë”, tha Kica Xhelili.
Duke ju referuar situatës në veri deputetja e LDK-së tha se kemi ardhur në një pikë, ku gota është e krisur dhe rrezikon me u derdhë krejtësisht .
“Je tu e mbajt ujin në gotë të kristalit dhe unë po them zgjidhja është me e ndërruar gotën. Zgjidhja është mos me e mbajt gotën në kënd, sepse nuk ke lejuar zgjidhje tjera. Jemi duke folur për një çështje esenciale, nuk ke manovra, nuk të kanë lënë mundësi manovruese, të kanë lënë mundësi ik, hajde, dil, hyn. Mundësia që po themi ne është hyn, rikthehu në rrugëtimin që Kosova ka pasur gjithmonë dhe kurrë nuk i ka dal keq. Në vazhdimësi, kur ka qenë më së nxehti, madje edhe kur të tjerët na kanë kritikuar çka po ju pengon marrëveshja e Ohrit, kemi qenë ndër partitë e para politike që shumë zhurmshëm kemi treguar se pse është e dëmshme. Mos mendoni se nuk kemi pasur presion për të thënë ndryshe. Dhe kemi vazhduar me e mbajt po atë gjuhë të ashpër. A nuk po jemi ndër më të zhurmshmit kur po vjen të çështja e dialogut në Kuvend? Kur të tjerët nuk po kanë guximin me dal, ne po shtrojmë rrugën dhe guximin po e marrin edhe të tjerët. Kjo po injorohet dhe po harrohet se LDK në zgjedhjet e kaluara i ka marrë 12 për qind, kemi 15-deputetë dhe ti po më thua sillu si ti kesh 60. Dhe unë po të them, po e bëj maksimumin me ata që kam”, tha deputetja e LDK-së.
Ajo më tutje shtoi se nëse nga LDK kërkohet opozitarizëm i njëjte, me monedhën e njëjte si ai i VV-së kur ishte opozitë, LDK ka bërë të qartë se nuk do ta sheh askush.
“LDK është shumë e përkushtuar që mos të bëjë kalkulime elektorale, të vazhdojë të përdorë gjuhën e një të vërtete, e cila nuk po shihet si e vërtetë. Rrugëtimi jo edhe aq i gjatë i Qeverisë së sotme ka me i demaskuar shumë gjëra. Kjo nuk nënkupton se ne do të vetëmjaftohemi si LDK me pozicionimet tona verbale mediatike, nëse e shohim rrezikun e vërtetë të rrëzimit të gotës. Si LDK po mendojmë se si me parandalu rrëzimin e gotës. Nuk kam përgjigje se si do ta ndalim, por jam e bindurt se do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që ajo gotë të mos rrëzohet. Sot jemi vigjilent që mos të ndërmarrim asnjë veprim që mundet me na dëmtu më tepër. Nganjëherë qetësia jonë nuk është qetësi për shkak të mungesës së vetëbesimit që mundemi me shty përpara edhe protesta. Është qetësi e kalkuluar pikërisht për stabilitetin e Kosovës. Rezultati i një maturie tëe tillë nuk vërehet menjëherë. Nuk po them që LDK gjatë viteve ka pasur vendime të gabuara, por ka pasur vendime të shumta, për të cilat sot po thonë ja kjo na paska shpëtuar nga një çështje shumë më destruktive. Dhe kam një bindje të madhe që krejt qasja e LDK-së , për të mos lejuar gotën të rrëzohet, do të dalin në pah në Vazhdim”, tha Kica-Xhelili.
E pyetur se a duhet të shkojë kryeministri Albin Kurti në dialog, përderisa tre polic të Kosovës ende mbahen të rrëmbyer nga Serbia, Kica-Xhelili tha se ajo fillimisht është e shqetësuar me mënyrën se si është shpërfaqur ky rast në mediat ndërkombëtare.
“Është një temë që ne si LDK po e hapim në çdo takim të mundshëm me diplomatë dhe po themi që mediat e juaja po e paqyrojnë si ndalesë dhe kjo nuk është ndalesë, sepse ndalesa është madje më e butë se arresti, ndërkasq ne po flasim për rrëmbim. Dhe problemi numër një është se mediat ndërkombëtare nuk po e shohin si diçka të kundërligjshme, sepse po e paraqesin si ndalesë. Kjo tregon se nuk po flasim vetëm për një diplomaci potencialisht të prishur, por për një mosbesim karshi gjuhës që po përdort Kosova, edhe nga akterët tjerë brenda shteteve tona mike. Sa i përket asaj se a duhet të shkojë në dialog a jo, për mua vetëm një gjë është e rëndësishme, çkado që e rikthen Kosovën në hartën e bashkëpunimit dhe përafrimit të miqësisë sonë të përjetshme që na kanë konfirmuar ndër vite rezultatet për shtetësi dhe demokracinë tonë duhet me u ndërtu dhe me u vazhdu. Sa i përket lobimit absolut në nivelin ndërkombëtar se policët duhet të lirohen, sepse ka qenë rrëmbim, këtë po e bëjmë të gjithë. Ju garantoi se me të gjithë mekanizmat e mundshëm që ka sot LDK-ja nuk po e lëmë asnjë dritare të gjuhës diplomatike, aq më tepër private, që ka ndodhur me policët si rrëmbim, me ja dhëne emrin që ka, e që është vepër kriminale ndërkombëtare që po bëhet prej Serbisë ”, nënvizoi Kica-Xhelili.