Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, në një intervistë me Astrit Gashi në BlicInterview, ka folur për situatën në veri, raportet me ndërkombëtarët, reagimet e ministres Gërvalla e të tjera.
Sa i përket ministres së jashtme, Donika Gërvalla, deputetja shprehet e çuditur për kaq pak qëndrime të saj, derisa thotë se e tëra ka qenë vetëm lojë e hedhjes së fajit.
“Sa i përket kolegjialitetit sa kam qenë në Listën Guxo, unë shoh pak e hiç sot elemente të asaj për të cilën është krijuar Guxo fillimisht, rrjedhimisht në kuptimin e asaj edhe do të kursehem, do të flas vetëm për rolin e saj si ministre e jashtme dhe deklarimet që po i dëgjoj në vazhdimësi. Për mua është pak e çuditshme se ka kaluar një kohë prej kur ne kemi filluar të kemi jostabilitet në veri por në të njëjtën kohë ka pasur shumë pak qëndrime, gati fare, nga subjekti i ministres. Megjithatë, në cilësinë e ministres, në të njëjtën kohë kam pritur që do të ketë deklarime më të shpeshta lidhur me situatën në veri, në kuadër të politikës së jashtme nga kjo qeveri, krejt çka kemi parë ka qenë një lojë e hedhjes së fajit. Tash ajo që ne po e shohim është që në vazhdimësi është krijuar një lloj standardi për të mos thënë ku po e gjejmë njëfarë rehatie politike, që sa herë diçka nuk shkon mirë, t’i fajësojmë të tjerët dhe ajo që po dështojmë ta shohim është se ne me veprimet tona, kontribuojmë në qasjen që të tjerët kanë me ne. Dhe mendoj se injorimi i plotë i asaj se ku kanë dërguar veprimet tona të kësaj periudhe dyvjeçare, flet shumë për faktin që përfundimisht këta nuk kanë sesi t’i justifikojnë veprimet paraprake por duhet medoemos të dalin me një lojë të tillë të hedhjes së fajit. Tash, është shumë lehtë të thuhet që emisarët duhet të ndërrohen, është shumë lehtë që nuk po na kuptojnë, është shumë lehtë të themi që po e neglizhojnë faktin që ne jemi në të drejtën tonë”, thekson Kica Xhelili.
Ajo përmend shtetet që tani po u hidhet faji për situatën ndaj Kosovës, ndërsa që kanë qenë të njëjtat që kanë qenë pro bombardimit të Serbisë e pro pavarësisë së Kosovës.
Ajo e quan absurde që këtë e thotë një ministre dhe absurde mënyra ë të menduarit kështu.
“Tash ideja është a jemi duke folur për shtete të njëjta të cilat i kishin hundët, sytë dhe veshët e hapur në ’99-ën apo të mbyllura. A jemi duke folur për shtetet të cilat e kanë dhënë në një formë bekimin e tyre që të neglizhohet Këshilli i Sigurisë së OKB-së, kur vendosi që NATO ta bombardojë Serbinë. A jemi duke folur për shtetet e njëjta kur, kur doli mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të drejtën tonë në vetëvendosje dhe vetëqeverisje, mbajtën anën tonë. A jemi duke folur për të njëjtit që kanë investuar vite të tëra në zhvillimin e ruajtjes së demokracisë dhe paqes së Kosovës. Dhe nëse përgjigja që mua sot një individ në ekzekutiv ma jep që “Po, këta janë të gjithë ata që na kanë mbështetur në rrugëtimin tonë të pavarësimit tonë”, në të njëjtën kohë qenkan bërë individët që vijnë nga po ato shtete që nuk po na dokan më. Pra në vetvete është absurde. Tash nuk po e them që është absurde pse e thotë vetëm një ministre, është absurde si formë e të menduarit sepse kjo tregon që ose nuk po e kuptojnë kompleksitetin e gjeopolitikës globale, madje po e anashkalojnë pjesën globale po të Ballkanit, të vetë rajonit ku ne po shohim konflikte të vazhdueshme, ose po duan t’ia fusin në kokë ndoshta qytetarëve tonë një besim”, vlerëson deputetja e LDK-së./Gazeta Blic/