• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Drafti i asociacionit nuk ka qenë qëllimi i parë i marrëveshjes së vitit 2013, por shpërbërja e strukturave paralele serbe

06/09/2023 21:03
nga:Astrit Gashi

Në lidhje me draftin e Asociacionit dhe me prezantimin e modelit kroat, nga ana e Kryeministrit Kurti, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në BlicInterview me Astrit Gashin, tha se pasqyrimi i tij në një vizion mbështetet në marrëveshjen e vitit 2013, për të cilën sipas tij është mirë me treguar qëllimin e saj të parë.

“Drafti i asociacionit nuk ka qenë qëllimi i parë i marrëveshjes së vitit 2013, por shpërbërja e strukturave paralele serbe dhe integrimi i tyre në Institucionet e Kosovës. Pjesa e dytë është akomodimi me të drejta shtesë në pushtetin lokal që lidhet me draft statusin. Bojkoti i organizuar i serbëve e ka prekur në thelb qëllimin e marrëveshjes së vitit 2013. Marrëveshja e parimeve, e vitit 2015, është për draft statutin dhe vizioni i Zotit ka qenë në këtë se LDK-së i dha të drejtë. Marrëveshjet 2013 dhe 2015 si parime, letra e zonjës Mogerini si zotim i ndërmjetësit ndërkombëtarë, dhe në nenin 2 në marrëveshjen e vitit 2015 në mënyrë eksplicite thuhet se Gjykata Kushtetuese qëndrimin në lidhje me kushtetueshmërinë e marrëveshjes. Kjo është njëlloj sigurese që kemi bërë përfshirë edhe Zotimin e BE-së se asociacioni nuk ka të drejta ekzekutive dhe nuk nënkupton pushtet të tretë në Kosovë”, tha Haziri.

Sipas tij, si ky vizion, ashtu sikur edhe viziona për negociata në gusht të vitit të kaluar, Zoti Kurti nuk arriti ta plasoi tek ndërmjetësuesit ndërkombëtarë.

“Tash e një vit e gjysmë, dinamizimi po ndodh ditëve të fundit, të gjitha takimet e amerikane dhe evropiane me Zotin Kurti, me Zotin Konjufca dhe Zonjën Osmani, e kanë vetëm një pikë, pra kërkesa draftoni statutin. Cili është favori që ja bënë Kosovës? Ekipin menaxhues e deleguan me pasqyruar punën e tyre në Bruksel dhe e konfirmuan se ai ekip në 64 nene asnjëherë nuk e përmend termin Kosovë dhe vdiq si punë e ekipit menaxhues. Thanë ky dokument është i pavlefshëm. Amerikanët kanë pasur rol kritik dhe e vdiqën dokumentin, puna u mbyll dhe thanë tani keni punë vetëm me Qeverinë e Kosovës”, tha Haziri.

Nënkryetari i LDK-së theksoi se më pas natyrisht që pritet hapi i dytë, e që janë negociatat. Sipas tij, përfundimin e negociatave e lidh me hapin e tretë, e që është Gjykata Kushtetuese.

“Marrëveshja e Ohrit nuk përmend në mënyrë eksplicite marrëveshjen e vitit 2015, e ka një nen që nuk paragjykon statusin politik të Kosovës, e që është gabimi më i madh që ka sjhkaktuar qeveria jonë në këtë marrëveshje. Por marrëveshja është pranuar nga Kosova dhe drafti mund të punohet sido që këta besojnë, i cili shkon në tavolinë dhe mund të dakordohen hapat. Duhet të thuhet, ne paraqesim dokumentin, por hapi dytë janë negociatat, hapi tretë Gjykata Kushtetuese. Hapi i katërt vendimi i Qeverisë së Kosovës dhe mandej hyjmë në implementim”, tha Haziri.

Sipas tij, edhe agjenda, edhe orarët mund të përcaktohen, nëse Qeveria lëvizë nga pika zero, por sipas Hazirit, Kurti kurrë gjatë takimeve me opozitën nuk flet për takimet e radhës, por vetëm tregon se çfarë ka ndodhur në ato takime dhe se para takimeve ai kurrë nuk ka ofruar diçka për të besuar se pozicioni i Kosovës mund të përparon.