Lajme

Deklarata e ambasadorit amerikan, deputeti i VV-së: Jam befasuar, kryetarët do ta vazhdojnë punën e tyre në komunat në veri

05/30/2023 16:50
nga:G B

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova që të qetësohet situata në veri dhe ka kritikuar atë për gjendjen e krijuar në atë pjesë.

Por, deputeti i VV-së, Halil Thaçi, në një intervistë për Gazeta Blic thotë se shumë deklarata të ndërkombëtarëve nuk kanë qenë në rregull, por që institucionet do të vazhdojnë punën për sigurinë e qytetarëve.

“Deklaratat janë të ndryshme nga zyrtarë të ndryshëm por është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës që të shtrijë sovranitet në tërë territorin e saj, t’i ofrojë të gjithë qytetarëve siguri, pavarësisht deklaratave që vijnë nga njerëz të ndryshëm. Për mua nuk kanë qenë në rregull shumë deklarata nga disa zyrtarë të ndryshëm evropianë, por sido që të jetë, punën do ta vazhdojnë institucionet tona, për sigurinë e qytetarëve”, thotë ai.

Ndërsa, sa i përket deklaratës së ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, se kryetarët e komunave në veri duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre jashtë objekteve të komunave, ai shprehet i befasuar, pasi thotë se i njëjti zyrtar i ka pranuar zgjedhjet në veri dhe më pas u ka ofruar siguri kryetarëve të zgjedhur. Ai shton se kryetarët duhet dhe do ta vazhdojnë punën e tyre brenda institucioneve të Kosovës.

“Në fakt, i njëjti zyrtar, i njëjti ambasador më ka bërë të ndihem mirë kur i ka pranuar zgjedhjet në veri, pastaj u ka ofruar siguri të plotë katër kryetarëve të zgjedhur në këto komuna, por më pas për çudi dhe për befasinë time, i njëjti zyrtar doli me këtë deklaratë se kryetarët duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre jashtë objektit të komunave. Unë nuk mendoj se duhet një kryetar të punojë jashtë institucionit që e siguron shteti i Kosovës, pra kryetarët sigurisht që janë në punë, po punojnë në institucionet e tyre dhe do të vazhdojnë të punojnë aty”, deklaron deputeti i VV-së./Gazeta Blic/

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së: Një muaj më herët paralajmëruam për situatë të tillë – institucionet nuk e parandaluan

Musliu: Me ndërkombëtarët mos të sillemi “si të fortit” – me SHBA-të nuk duhet garuar si parti por duhet vepruar si shtet