Policia e Kosovës (PK) dhe Prokuroia Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) njoftojnë se në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëhejqen e PSRK-së, të mërkurën hetuesit nga Drejtoria për hetimin e Krimeve Kibernetike, kanë zhvilluar një operacion policor, të mbështetur edhe njësitë tjera hetuese, Njësitë Speciale (FIT) dhe AKI– ja, në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, i cili ka rezultuar me arrestimin e tre të dyshuarve.
Në njoftim thuhet se ky aksion, është realizuar në katër lokacione të ndryshme, ku si rezultat janë arrestuar në flagrancë tre të dyshuar për përfshirje në vepra penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarja e parave”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Bëhet e ditur se në këtë aksion u sekuestruan 19 vetura, kompjuterë, mbi 4 mijë euro para të gatshme, e gjësende të tjera.
“Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: 19 vetura; 1 motoçikletë; 6 telefona; 5 kompjuterë; 6 USB; 4,095.00 euro para të gatshme; 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike; Dokumente të ndryshme relevante për rastin”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, nga hetimet e deritanishme, ekziston dyshimi i bazuar se tre të arrestuarit, përmes sistemeve kompjuterike, komunikimeve elektronike dhe telefonike, kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, të cilët, i kanë vënë në lajthitje dhe i kanë nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi, duke i shtyrë të ndërmarrin veprime në dëm të pasurisë së tyre.


