Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në një intervistë për Gazeta Blic ka folur edhe për deklaratën e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier se kryetarët e komunave duhet të ushtrojnë detyrën e tyre jashtë objekteve të komunave përkatëse.
Ajo thekson se duhet vepruar në bazë të ligjeve, Kushtetutës e bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare, duke shtuar se as kësaj të fundit nuk i konvenon kthimi mbrapa i Kosovës.
“Mendoj që gjithçka duhet të bëhet konform ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës dhe në koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare. Unë konsideroj se as neve si shtet por as investimit të bashkësisë ndërkombëtare me vite të tëra, nuk i konvenon kthimi i situatës mbrapa në Kosovë. Prandaj, duke pasur parasysh investimin që u bë me vite për ndërtimin e paqes në Kosovë, duhet pasur parasysh të gjithë, pavarësisht kush është në Qeveri, se sot është një parti politike, nesër mund të jetë një tjetër, dje ka qenë një tjetër parti, kështu që konsideroj që neve nuk na duhet të sillemi në rrethana të tilla si të fortit, por duhet të jemi kooperues dhe bashkëpunues me bashkësinë ndërkombëtare, me qytetarët e Kosovës mbi të gjitha, sepse vërtet qytetarët serbë të Kosovës janë viktima në këtë rast e gjithë kësaj situate, sepse ata po përdoren dhe keqpërdoren nga Beogradi. Unë mendoj se ndoshta është momenti i fundit që ata ta marrin mesazhin që nuk duhet pasur trupin në Kosovë e kokën në Beograd”, deklaron ajo.
Sa i përket mos pjesëmarrjes që dy kryetarëve të dy komunave veriore që vijnë nga radhët e VV-së, në takimin e djeshëm me ambasadorin amerikan, Musliu thotë se një ndarje është shqetësuese dhe se bashkëpunimi me SHBA-të duhet të jetë si shtet dhe jo të garohet në këtë mënyrë pasi është gabim i rëndë dhe se lojëra të tilla populiste i bëjnë dëm vendit.
“Kjo ndarje është shumë shqetësuese. Bashkëpunimin me SHBA-të duhet ta kemi si shtet dhe jo si parti politike dhe në momentin që ne garojmë se kush po i përgjigjet e kush nuk po i përgjigjet SHBA-ve, këtu kemi huç dhe kemi gabuar rëndë. prandaj, duhet të sillemi si shtet, si institucione dhe jo të bëjmë lojëra populiste, që do t’i bëjnë dëm Kosovës”, shton ajo./Gazeta Blic/


