Lajme

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së: Një muaj më herët paralajmëruam për situatë të tillë – institucionet nuk e parandaluan

05/30/2023 15:45
nga:G B

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, njëherësh kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, në një intervistë për Gazeta Blic ka folur për zhvillimet në veri të vendit, atje ku serbët po protestojnë, ku kanë sulmuar mediat, policët e Kosovës e ushtarët e KFOR-it.

Ajo vlerëson se gjendja në veriu është shqetësuese dhe PDK e dënon dhunën nga bandat kriminale atje, derisa kërkon që urgjentisht të merren masa ndaj personave që i kanë kryer këto veprime.

“Gjendja në veriun e Mitrovicës është shumë shqetësuese. Ne si PDK e kemi dënuar dhunën që ushtruat atje dhe gjendjen e krijuar nga bandat që po e kërcënojnë sigurinë e vendit në përgjithësi, e të veriut në veçanti, e dënojmë ashpër dhunën që është bërë ndaj KFOR-it dhe gazetarëve gjatë ditës së djeshme dhe kërkoj që urgjentisht të merren masa ndaj atyre që kanë kryer këto veprime”, thotë Musliu.

Deputetja thotë se Komisioni që ajo drejton e ka paralajmëruar para më shumë se një muaj se grupe të tilla kriminale po trajnohen në Rashkë, për sulme të tilla dhe se ka menduar se duke qenë të paralajmëruar, do të merren masa për t’i parandaluar këto situata, por që nuk ka ndodhur.

“Duke e pasur parasysh që drejtoj Komisionin për mbikëqyrjen e AKI-së, ka më tepër se një muaj që ne kemi paralajmëruar që grupe të tilla kriminale janë duke u trajnuar në Rashkë, për sulme të tilla vandaleske. Dhe fatkeqësisht, sot i kemi rezultatet e atyre paralajmërimeve ose rezultatet e atyre trajnimeve që janë bërë në Rashkë. Unë mendoj që shteti i Kosovës, aleatët tanë ndërkombëtarë duhet të koordinohen në mënyrë perfekte që të mos lejohen situata të tilla sikur i kemi parë ditën e djeshme. Paralajmërimet tona kanë qenë të bazuara në fakte nga tereni dhe vetë fakti që ne i kemi paralajmëruar me kohë, unë kam menduar se do të merren masa për parandalimin e situatave të tilla. Fatkeqësisht po del që kjo nuk ka ndodhur dhe vërtet kjo është shumë shqetësuese. Ne si shtet duhet të jemi në gjendje gatishmërie, por mbi të gjitha, duhet të jemi në koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë, me të cilët punojmë tash e 24 vite që nga çlirimi i vendit”, shprehet kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së për Gazeta Blic.

Se pse nuk kanë vepruar institucionet, ajo thotë se nuk ka kompetenca të flasë derisa nuk është pjesë e qeverisë, por që Komisioni dhe AKI e kanë kryer punën e tyre duke i informuar institucionet dhe opinionin.

“Unë nuk jam kompetente të flas, pasi nuk jam pjesë e ekzekutivit që të flas në detaje se çka në realitet ka ndodhur. Por unë mendoj se si komision për mbikëqyrjen e AKI-së, në bashkëpunim me AKI-në, e kemi kryer punën tonë, duke e informuar, qoftë duke i informuar institucionet e vendit por qoftë edhe opinionin e gjerë, e në këtë rast unë jam e bindur që bashkësia ndërkombëtare veç i ka pasur këto informata. Por konsideroj se çdo vendim i njëanshëm, Kosovën do ta kthejë shumë mbrapa”, potencon Ganimete Musliu./Gazeta Blic/