• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi: Nuk na duhet një kryeprokuror si Blerim Isufaj, në KPK do të rrisim numrin e anëtarëve nga 13 në 21

05/14/2023 21:09
nga:N M

Në historinë e pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk ka ndodhur që një pozitë mjaftë e rëndësishme të jetë vakante, siç është ajo e kryeprokurorit të shtetit të Kosovës, raporton Gazeta Blic.

Vendi tash e një vit vazhdon të jetë pa kryeprokuror të shtetit, pozitë kjo që vlerësohet si njëra nga më jetiket për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe veprat e tjera penale konform Kodit Penal dhe Procedurës Penale.

E, gjithë saga për këtë proces ka nisur kur Këshilli Prokurorial i Kosovës ka përzgjedhur një kandidat që e ka vlerësuar me më së shumti poentim. E ku pas kryerjes së të gjitha procedurave, KPK ka dërguar emrin e kandidatit për kryeprokuror të shtetit, e që është Blerim Isufaj, drejt Zyrës së Presidentes së Kosovës për dekretim, Vjosa Osmani.

E para e shtetit as edhe një lëvizje më të vogël nuk e ka bërë për të dekretuar kandidatin e propozuar nga Këshilli Prokurorial, apo qoftë edhe kthimin në pikën zero të këtij procesi.

Si të drejtë ekskluzive që i jep Kushtetuta e Kosovës Vjosa Osmanit, kjo e fundit nuk po ngutet që të bëjë ndonjë veprim, me arsyetimin se ka pasur ankesa dhe janë në procedurë të shqyrtimin, ankesat e kandidatëve të tjerë për pozitën e kryeprokurorit të shtetit.

E fundit që kanë thënë nga Presidenca ka qenë se kjo çështje do të marrë epilog të fund të muajit të kaluar, por kur jemi në mes të muajit maj, ende nuk ka ndonjë veprim konkrete nga e para e shtetit.

Deri në këto momente ekipi i “Expose” ka kërkuar që të dihet se kush janë kandidatët e tjerë që potencialisht mund të jenë ankuar për rastin e kryeprokurorit të shtetit qoftë në Gjykatën Mushtetuese apo edhe në ndonjë gjykatë tjerë, por që për këtë nuk ka marrë përgjigje.

Por, a është i qëndrueshëm arsyetimi i presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, së po pret që të përfundoj procesi i ankimimit dhe më pas të lëviz drejt dekretimit apo kthimin në pikën zero për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit?

Gjasat që po pret përfundimin e procedurave, janë të vogla ose që pas kësaj po fshihet një pushtet i tërë duke nisur nga Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Krejt kjo duke nisur nga sulmet që po i bëhen kandidatit të vetëm për kryeprokuror të shtetit Blerim Isufaj, nga liderët e institucioneve të vendit, partia në pushtet Lëvizja Vtëvendosje dhe militantë e të afërt më partinë në pushtet.

Por kjo nuk përfundon me kaq.

Se pushteti nuk do ta emëroj kryeprokuror të shtetit, krahas sulmeve të Osmanit, Kurtit e Konfucjës, ka nisur një hile nga Ministria e Drejtësisë për reformat ë thella në Këshillin Prokurorial të Kosovës, e të cilin po e llogarisin se instrument të qeverive të kaluara.

Pushtetit “sharra në gozhdë’ i hasi kur Gjykata Kushtetues ia rrëzoi Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, e ku Ministria e Drejtësisë, në mënyrë arbitrare kishte kërkuar që përbërja e anëtarëve të Këshillit Prokurorial të zvogëlohet nga 13 anëtarë në 7, duke u marrë mandatin anëtarë që janë prokuror si pjesë e KPK-së.

Pushteti nuk u ndal me kaq, pavarësisht se organi më i lartë juridik e rrëzoi tentimin për kapjen e Këshillit Prokurorial në mënyrë që aty më pas, çështja e kryeprokurorit të kthehet në pikën zero, dhe të vendoset një kandidat të cilin LVV do ta dërgonte për kryeprokuror të shtetit.

Por tentimi për kapjen e KPK e me pas të kryeprokurorit të shtetit nuk është ndalur.

Krejt cka po tenton të bëjë Qeveria momentalisht është hartimi i një projektligji të ri për sistemin Prokurorial e që kjo procedurë tashmë ka filluar.

Kësisoj në projektligjin e ri për KPK, tash partia në pushtet jo që nuk po propozon zvogëlimin përbërjes së KPK (numrin e tyre), përkundrazi ka propozuar që numri nga 13 të rritet deri në 21 anëtar.

E ky shtim i numrit të anëtareve të Këshillit Prokurorial duhet të jenë jo domosdo prokuror por që pozita po mendon që në Këshill të ketë përbërje – prokuror – jo prokuror.

Në rast se ky projektligj kalon, Qeveria me dy duart do ta kap Këshillin Prokurorial dhe kryeprokurorin e ardhshëm të shtetit.

Se kanë një tentativë të tillë nuk e ka mohuar edhe kryetari i Komisionit Parlamenyar për Legjislacion, Mandate dhe Imunitet, Adnan Rrustemi që është nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka thënë për “Expose”, prodhim i Gazeta Blic se pas rrëzimit të ligjit për KPK, kanë nisur hartimin e një ligji të ri, që është aktualisht në ministrinë e Drejtësisë, për rritjen e numrit të anëtarëve të KPK-së

“Po, Gjykata Kushtetuese ka gjetur së paku në katër pika që nuk është në përputhje. Ne jemi të vetëdijshëm se reformat tona janë të thella dhe rrënjësore, sepse nisemi nga premisa se gjendja në drejtësi e veçmas në atë sistemin Prokurorial është e rëndë dhe e keqe dhe duhet ndërhyrje për të ri funksionalizuar dhe për t`i dhënë kuptimin e vërtetë që duhet ta kenë siç e parasheh Kushtetuta dhe ligjet dhe siç e ka funksioni”, thotë ai për “Expose”.

Ai ka treguar se synimi është ndryshimi i përbërjes së KPK-së.

“Ne do të vazhdojmë këtë reformë dhe synimi është për ta ndryshuar përbërjen e KPK nga një përbërje që dominohet nga prokurorët, që siç e thash në fillim e ruajnë e mirëmbajnë njëri l- tjetrin dhe gjendjen aktuale. Të krijojmë një KPK më plural dhe le të themi më figura tjera jashtë sistemit Prokurorial ku rritet konkurrenca brenda KPK dhe krijohet një llojë gjendje tjetër brenda KPK,  me një shumicë proactive, më e vendosur kundër luftës ndaj korrupsionit”, vlerëson ai.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka gjetur që ndërprerja e mandateve të disa prej anëtarëve aktual, bie ndesh me Kushtetutën.

“Kemi marrë dy opinione të Komisionit të Venecias për këtë gjë, ka pasur një llojë para shikueshmërie se si ndërpritet një mandat. E kuptoj nga 13 në 7 se kur e ndërpret numrin, padyshim se dikush do të mbetet pa mandate, por kjo nuk do të nënkuptonte se ata do të dalin jashtë sistemit Prokurorial, por në anën tjetër ishte paraparë me Venecian, një mekanizëm i shortit se kush mbetet dhe kush jo. Pra, nuk kishte një qasje arbitrare, por zvogëlimin e numrit nga 13 anëtarë në 7,  dhe ndryshimi i përbërjes aktuale vetëm me prokurorë, një përbërje plurale gjithnjë duke siguruar një siguri dhe paanshmëri të këtij sistemi të rëndësishëm, por ne do të vazhdojmë përpjekjet. Kemi filluar punën në nivel të Ministrisë së Drejtësisë, për ta hartuar një projektligj të ri në përputhje me aktgjykimet e Gjykatës kushtetuese. Shikoni, ne kemi synim ndryshimin e përbërjes aktuale në kuptimin e eliminimit të natyrës korporativiste, nuk duhet të dominohet nga prokurorët KPK-ja, synimi ynë ka qenë dhe është për ta ruajtur njëfarë efikasiteti dhe për ta zbatuar numrin nga 13 në 7. Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se është i pranueshëm, ndryshimi i përbërjes, nuk është i pranueshëm ndërprerja e mandatit të anëtarëve aktual. Por? reforma nuk ka kuptim, sepse duhet pritur derisa t`iu përfundoj mandati atyre dhe le të themi e eliminon efektin e reformës, se nuk mund të presim 5-6 vite, varësisht sa e kanë mandatin për ta vënë në funksion këtë reformë. Duhet të gjejmë modalitete të tjera, ose ta rrisim numrin anëtarëve ose zëvendësimin e anëtarëve aktual në raport me kohën kur iu përfundon mandati atyre, derisa të krijohet ky raport, prokurorë jo prokurorë. Por projektligji është në fazën e shqyrtimit në MD, nuk ka ardhur në Kuvend, duhet të gjejmë një modalitet ose të rritet numri aktual duke ndryshuar përbërjen ose të zvogëlohet numri ose zëvendësimi i tyre,  varësisht kur t`iu del mandati atyre”, tha ai, raporton Gazeta Blic.

12/23/2024 21:12

Muriqi mund të rikthehet në Turqi?