• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Azemi: Për dy vite qeverisje të zotit Kurti, për faturat e veriut i kemi paguar diku rreth 100 milionë euro

04/27/2023 18:24
nga:Astrit Gashi

Zyrtari i LDK-së, Visar Azemi, në BlicInterview me Astrit Gashin, tha se sistemi elektroenergjetik i Kosovës, termocentralet ekzistuese Kosova A dhe B, janë të vjetra dhe e kanë tejkaluar jetëgjatësinë e tyre.

“Pra këto po operojnë përkundër vullnetit dhe dëshirës tonë se duhet të shkojnë në revitalizime ose mbyllje totale, sepse disa prej tyre as që kanë mundësi të revitalizohen. Pra janë tejkaluar të gjithë kufijtë e operimit normal të tyre. Dhe çfarë ka ndodhur? Në vitin 2020, Kosova A dhe Kosova B kanë prodhuar më shumë energji se sa në vitin 2022. Në vitin 2022 ne kemi prodhuar më pak, kemi eksportuar më pak dhe kemi importuar më shumë. Në vitin 2022, kur ka qenë kriza energjetike, çmimi i energjisë elektrike ka qenë tejet i lartë. Prodhimi që bëhet nga Kosova A dhe B, i shitet KEDS-it me një kosto prej 30 euro për Megavat. Në bursat ndërkombëtare çmimi i energjisë elektrike në kohë të krizave e arriti çmimin deri në 1 mijë euro për Megavat. Pra edhe KEK-u ka pasur mundësi me e shit energjinë në këto periudha dhe me inkasu mjete shumë më tepër, por nuk do të thotë se i ka shërbyer qytetarëve siç duhet. Qëllimi i kësaj ndërmarrje publike nuk është të gjenerojë rekord të fitimeve, por është që të ju shërbejë qytetarëve, të gjenerojë mjaftueshëm. Në anën tjetër, nëse ke gjeneruar fitim 100 milionë euro, nuk ke investuar në A5, të ka ra blloku B vitin e kaluar, dhe kjo i bie që unë e kam ndërtuar një shtëpi dhe kam kursyer se nuk ja kam vendosur dritaret dhe dyert. Për shkak se blloku A5 ka qëndruar jashtë funksionit, ne jemi detyruar me ble energjinë elektrike, e që çmimi mesatar për Kosovën ka qenë diku 180 euro megavat. Pra nëse ke prodhuar me 30 euro, je detyruar me e ble me 180 euro. Pra 150 euro megavat i ke humbur në orë për krejt sasinë që ke prodhuar”, tha Azemi.

Sipas tij, për shkak se është prodhuar rrymë më pak, humbjet në buxhetin e Kosovës kanë qenë tejet të mëdha.

“Këto mjete të cilat kanë dal nga ky buxhet i shtetit, tani po kthehen me anë të rritjes së çmimit të faturave të rrymës. Dhe këtë keq-menaxhim po e paguajnë të gjithë qytetarët. Ngritja e fundit e rrymës ka të bëjë me faktin se kemi më pak prodhim, për shkak të nevojave të mëdha të importit me çmim të lartë. Për shkak se çmimi ka qenë më i lartë, ne tani duhet ta mbulojmë atë humbje. Për këtë pjesën e dytë të ngritjes së faturave të rrymës kanë qenë në pyetje diku rreth 50 milionë euro, që Kryeministri, Qeveria, pati kërkuar që ajo ngritje ti kaloi komplet sektorit të biznesit, por jo të ndërmerr një iniciativë që ta subvencionojë edhe atë pjesë, për shkak se në një kohë kur ne ishim në inflacion, të gjitha çmimet ngiteshin, edhe ngritja e radhës e energjisë elektrike sigurisht që ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë qytetarët. Po rata nuk e panë këtë dhe nuk bënë asgjë për të subvencionuar këtë pjesë, përderisa për dy vite qeverisje të Zotit Kurti, faturat e veriut i kemi paguar diku rreth 100 milionë euro. Pra për ata bën me subvencionu, e për ne këndej nuk e ka parë të udhës”, tha Azemi.

Sipas tij, Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me shumë premtime, e një prej tyre ishte se nuk do të subvencionojë rrymën në veri, por ja që e bëri, më shumë se të gjithë tjerët, sepse sipas tij, ai ka ndarë më shumë mjete, për shkak të mos-inkasimit të faturave të rrymës në veri.