Inxhinieri i sistemeve energjetike dhe eksperti për energjetikë në LDK, i ftuar në BlicInterview me Astrit Gashin, duke folur për problemet që është përballur Kosova në 20 vitet e fundit në fushën e energjisë elektrike dhe skandalet e korrupsionit dhe keq-menaxhimit për vite me radhë në KEK, si dhe për arrestimin nën akuzat për korrupsion të drejtorit të fundit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, tha se “rasti i fundit ka qenë një skandal në vazhdimësi, prej skandaleve tjera që prej kohës kur kjo Qeveri erdhi në pushtet, duke proklamuar se do ta luftojë korrupsionin”, shkruan GazetaBlic.
“Pritjet nga kjo Qeveri ishin të larta gjithashtu, duke filluar me skandalin e ambasadorit Martin Berishaj, e pastaj edhe skandalin e fundit në KEK, si keq-menaxhim ose ushtrim i ndikimit dhe abuzimit të detyrës zyrtare. Nuk ishte diçka që e pritem dhe as që e dëshironim, sepse sektori i energjisë në Republikën tonë ka problem qysh moti. Dhe në kohën kur ne prisnim që ti jepej zgjidhje dhe drejtim pozitiv këtij sektori, ne prapë u përballem me keqpërdorime, me keq-menaxhim të detyrës zyrtare dhe rasti i fundit me arrestim për shkak të këtyre keqpërdorimeve. Ne sigurisht duhet të presim deri në verdiktin final të Gjykatës, por gjithsesi e vërteta është që njeriu i këtij institucioni, kësaj ndërmarrje publike sot është në paraburgim. Dhe kjo nuk i është dashur as Kosovës, as Qeverisë, e as opozitës”, tha Azemi.
Duke folur për përplasjes mes pozitës dhe opozitës, pas arrestimit të Krasniqit, Azemi theksoi se janë dy momente që duhet analizuar më tepër.
“Pra është pjesa e parë kur ne e kemi të paraburgosur shefin e kësaj ndërmarrje, për shkak të ushtrimit të ndikimit dhe për shkak të atyre veprave që tashmë janë të ditura, keqpërdorimi dhe negociimi i tenderëve njëburimor me kompani të cilat ishin diskualifikuar në procesin e mëhershëm. Pra këtu ka arsye dhe ka hapësirë për dyshime dhe sigurisht që këto gjëra i ka parë hetuesia dhe prokuroria. Drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe ta zhvilloi këtë proces. Por edhe ne, politike dhe gjithë të tjerët që jemi hisedar në këtë fushë duhet ti japim hapësirë dhe mundësi që këto hetime të shkojnë deri në fund. Në anën tjetër, po flasim për politizimin e këtyre ndërmarrjeve gjithashtu, sepse Zoti Kurti kur erdhi në pushtet na tha që ndërmarrjet tona duhet të jenë jashtë dhe larg politikës, por në realitet Zoti Krasniqi ka qenë drejtues i komitetit për energji në LVV dhe erdhi këtu nga një bord i përkohshëm, për tu instaluar dhe për ta marrë nën kontroll ndërmarrjen KEK. Kjo na bën të dyshojmë dhe të shohim se çfarë në realitet ka ndodhur prapa këtyre vendimeve dhe pse një njeri i afërt I Kryeministrit Kurti po udhëheq një ndërmarrje e cila vetëm në shtatë tetë muajt e fundit ka negociuar kontrata në vlerë diku rreth mbi 70 milionë euro. Pra ne e kuptojmë se në disa raste mund edhe të negociosh, sepse këtë e lejon edhe ligji për prokurim publik, por në raste kur ato shërbime mund ti ofrojnë më shumë se një apo dy kompani, që kemi pasur rast edhe në këto dy kontrata që po hetohet tani Zoti Krasniqi, kjo është e mjaftueshme për të kuptuar se diçka e jashtëzakonshme ka ndodhur”, theksoi Azemi.