Unë jam pro planit franko-gjerman, por me njohje brenda, ka thënë kreu i NISMA, Fatmir Limaj, në BlicInterview, me Astrit Gashin.
Ai theksoi se duhet të të negociohet se pse eduhet me qenë njohja brenda dhe shtoi se nëse nuk e ka njohjen e Kosovës brenda, dhe ka Asociacion, për mendimin tij ky atëherë është një propozim i dëmshëm për Kosovën.
“A ka garanci për njohje nga 5 shtetet e BE-së, a është negociuar për këtë gjë. Ajo që nuk ka njohje dhe ka Asociacion është e dëmshme për Kosovën. Në këtë propozim nuk ka asgjë më tepër se në marrëveshjen e vitit 2013. Kosova pas 2013 ka fituar anëtarësimin në Komitetin Olimpik, FIFA dhe UEFA, është anëtarësuar në organizata të ndryshme rajonale dhe Serbia na ka njohur kufirin, edhe pse thotë vetëm atë administrativ dhe kjo është njohja de fakto joformale. Cka ka më tepër se kaq ndonjë gjë shtesë njohja de fakto nga Serbia”, tha Limaj.
Sipas Limajt, largimi dhe tërheqja nga marrëveshja do të ishte një veprim tejet i dëmshëm për Kosovën.
“Nëse juve ju braktisin ata me të cilët e ke ndërtuar shtetin, dëmi është i padiskutueshëm ose i pamatshëm. E rëndë me u pranu ka qenë edhe marrëveshja e Rambujesë, Vjena ka qenë marrëveshje e vizatuar dhe nuk mund të krahasohet me Rambujenë. Marrëveshja e Vjenës ka pasur parimet e saj dhe kujdesi i vetëm i delegacionit të Kosovës ka qenë qe të mos bëhet ndonjë veprim i cili e defunksionalizon shtetin, ngase nuk ka pasur dilemë se Kosova do të bëhet shtet. Rambujeja ka qenë tmerr i Zotit, edhe marrëveshja ka qenë e vështirë, edhe vetë vendimi me shku ka qenë i vështirë, edhe vendimi për me e pranuar ka qenë i vështirë, por koha dëshmoi se ka qenë vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Limaj.
Limaj më tutje shtoi se kryeministri Kurti, me sjelljet dhe veprimet e tij, e ka sjellur vendin sot në këtë situatë.
“Ka degradu procesin e dialogut. Pozicioni ynë në vitet 2018-2019 ka qenë shumë më i mirë, na e ka degradu këtë pozicion. Kryeministri i vendit duhet me marrë përgjegjësi për këtë gjendje që na ka sjellë. Ai ka marrë ndëshkim nga sjellja e tij politike. A duhet me u largu prej dialogut? Nuk guxon me u largu prej dialogut. A duhet me u ul me u ndërtu marrëveshja? Duhet me hi me u ndërtu. Mirëpo, ky duhet me marrë përgjegjësi për këtë gjendje që na ka sjellë”, tha Limaj, shkruan GazetaBlic.