“Expose” prodhim medial i portalit GazetaBlic.com sonte ka transmetuar në televizionin Kanal10 pjesën e dytë të dokumentarit për ikjen e qytetarëve, me fokus mjekët.
Në këtë dokumentar pasqyrohet trendi i largimit të mjekëve nga sektori publik dhe pasojat për sistemin shëndetësor.
Alarmi për kolaps në sistemin e shëndetësisë tashmë është ngritur edhe nga vetë mjekët. Pleurat Sejdiu, Kryetar i Odës së Mjekëve thotë se brenda 5 viteve të ardhshme do të ndihet kriza e madhe e mjekëve.
“Ajo që ne kemi paraparë, nëse ky trend ecë pa intervenime serioze dhe atë të synuara në përmirësimin e kushteve të punës dhe të përcillen me paga të merituara, ne presim që në 5 vitet e ardhshme do të ndjejmë atë krizën e madhe dhe me të vërtetë do të mendoj fare mirë se ku duhet të drejtohet pacioenti ynë”, tha Sejdiu.
Sipas tij, vetëm në 4 vitet e fundit Kosova ka humbur mbi 650 mjekë.
“Gjatë këtij viti janë 174, të cilët janë larguar. Është një numër më i madh se sa viti i kaluar, atëherë kanë qenë 150 për 12 muaj, kurse në këtë 9 mujor mbi 170 dhe fatkeqësisht i afrohet numrit 200 nëse ky trend vazhdon. Në momentin kur bëhet liberalizimi i vizave, ky numër do të jetë shumë më i madh sepse kontakti do të jetë shumë më i lehtë, i mjekëve të interesuar nga Kosova dhe punëmarrësve të cilët janë në bollak, në Gjermani sidomos”, tha ai.
Më poshtë emisioni i plotë: