Lajme

Rugova: Zyrtarët e lartë të SHBA-ve po anashkalojnë kryeministrin, kjo do të duhej të ishte alarm për qeverinë!

04/02/2024 18:27
nga:Y I

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka zhvilluar dje një bisedë telefonike me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Osmani njoftoi se gjatë bisedës është diskutuar për hapat për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit.

“Një telefonatë produktive me O’Brien sot. Theksoj rëndësinë themelore të punës së bashku me aleatët tanë amerikanë në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Ne diskutuam gjithashtu hapat për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të Marrëveshjes së Brukselit”.

Në lidhje me këtë bisedë të tyre ka folur për “Gazeta Blic” ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova.

Rugova tha se është evidente se zyrtarët e lartë të SHBA-ve kohëve të fundit kanë anashkaluar kryeministrin Kurti.

Ai tha se po shihet një moskomunikim me Kurtin si njeriu kyç i procesit të dialogut.

“Eshtë evidente se zyrtarët e lartë të SHBA-ve kohëve të fundit kanë anashkaluar kryeministrin Kurti qoftë me protokolin e agjendës- duke e takuar në fund të vizitave, qoftë me kritika të drejtperdrejta e tani vërehet një moskomunikim me të si njeriu kyç i procesit të dialogut”

Ish-deputeti Rugova tha se këto veprime të administratës amerikane ndaj kryeministrit Kurti do të duhej të ishin alarm për të personalisht dhe qeverinë e vendit

“Këto veprime të administratës amerikane dhe zyrtarëve të lartë përgjegjës për Ballkanin Perëndimor ndaj kryeminisyrit do duhej të ishin alarm për të personalisht dhe qeverinë e vendit sepse drejtpërdrejt godet imazhin e Kosovës por edhe dobëson pozitën e kryeministrit si bartës i procesit të negociatave me Serbinë” tha Rugova në përgjigjen e tij dhënë për “Gazeta Blic”.


Naser Rugova, Ish-deputet i LDK-së!

Kujtojmë se javë më parë ndihmësekretari amerikan i Shtetit, O’Brien, kishte qenë i ashpër në kritika ndaj Kurtit sa i përket çështjes së dinarit.

O’Brien kishte deklaruar se nëse Kurti s’e trajton SHBA-në si partnere, as SHBA s’do ta trajtojë atë si të tillë.

/Gazeta Blic/

O’Brien për bisedën me Osmanin: Diskutuam rëndësinë e zbatimin e rregullave monetare

Ish-deputeti i VV’së: ShBA-të i besojnë më shumë Osmanit se Kurtit