Drejtori i Burgut për femra në Lipjan, Ylber Topalli, ka thënë se kushtet nuk janë të këqija por ka nevojë për përmirësim.
Ai për dokumentarin Expose ka folur dhe për programet dhe trajnimet e ndryshme që ndjekin të burgosurat.
“Ne po mundohemi që të krijojmë kushte solide të burgosurve që janë në institucionin korrektues dhe në këtë drejtim mund të them që jam i kënaqur me gjërat po u ofrohen atyre, qoftë në kuptimin e akomodimit të tyre nëpër dhoma, qoftë në ofrimin e shërbimeve të tjera për trajnime për programe, për punësim, e të tjera”, thotë ai.
“Mendoj që çdo freski që bëhet në institucion duhet ta ketë një synim që të avancohen gjërat. Në institucionin korrektues gjërat kanë qenë relativisht mirë, nuk ka pasur ndonjë pengesë, megjithatë çdo freski sjell edhe risitë e veta. Ne për këtë periudhë 1 vjeçare kemi arritur që të instalojmë edhe disa programe të veçanta, module të veçanta të trajnimeve, të cilat të burgosurat i kanë mirëpritur jashtëzakonisht shumë dhe të cilat ndihen komode në këto kushte të cilat mund t’i ofrojë një institucion korrektuese”, shprehet Topalli.
Ai tregon se nga rreth 35 të burgosura sa janë gjithsej në këtë qendër, nuk ka të mitura, teksa tregon se kanë pasur një të tillë për disa muaj.
“Numri i të burgosurave është rreth 35. Institucioni ynë nuk është institucion që strehon të miturat, megjithatë këtë vit kemi pasur një të mitur që për shkaqe të interesit të vet të miturës e kemi tërhequr prej qendrës së të miturve atje dhe ka qëndruar këtu për pesë muaj, brenda asaj periudhe e ka vazhduar shkollimin në vazhdimësi dhe ka arritur ta përfundojë një vit”, potencon drejtori.
“Varësisht nga pesha e veprave penale që kanë bërë, janë dënime prej 25 vite, maksimalja që i kemi disa të burgosura këtu, e deri 1-2 muaj, varësisht prej dënimeve, qoftë në komunikacion, qoftë vepra të vogla penale që kanë pasur”.
Në qendrën korrektuese për femra në Lipjan punojnë 16 të burgosura brenda këtij institucioni. Por, drejtori e sheh si defekt pagesën që e marrin këto të burgosura për punën që e kryejnë aty, e për çka thotë se do të duhej të ndryshohej.
“Aktualisht i kemi 16 të burgosura të cilat janë të angazhuara në marrëdhënie pune këtu. Punojnë në furrtari, në kuzhinë në përgatitjen e ushqimit, gjithmonë nën mbikëqyrjen e kuzhinierëve tanë që janë kuzhinierë të licencuar, pastaj punojnë në pastrimin e ambienteve në kopshtari, i rregullojnë lulet, kopshtet, ambientet persona të vetat, kujdesen për produkte të cilat i përzgjedhin vet për t’i kultivuar dhe i shfrytëzojnë pastaj”, shprehet ai.
“Ky është një defekt që e shoqëron institucionet në përgjithësi në shërbimin korrektues, është një pagë shumë simbolike, është 1 euro në ditë për disa punë por janë disa lloje të punës, punë profesionale, punë teknike dhe punë mbështetëse. Për punë profesionale paguhet 1 euro e gjysmë. Është një shumë që…sikur institucionet korrektuese të gjejnë një modul të pagesës më të theksuar që së paku këto të burgosura të mos jenë barrë e familjes. Ta mbajnë vetveten me shpenzime këtu”, thotë drejtori i qendrës korrektuese për femra për Expose.
Topalli ka treguar se si bëhen vizitat nga familjarët dhe komunikimi online që lejohet sipas rregullave.
“Varësisht prej tretmanit që kanë. Ne i kemi disa rregullore të cilat i përcaktojnë edhe vizitat sa mund t’i shfrytëzojnë. Të burgosurat që janë të moshës më të shtyrë, më herët në burg, që janë në tretmanin e avancuar dhe gjysmë të hapur, ato kanë çdo javë vizita, kanë telefonata më të shpeshta, ndërsa të paraburgosurat e kanë një standard, dy herë në muaj vizitat, telefonatat pak më të reduktuara. Për shtetase të huaja ju ofrojmë edhe platformën e komunikimit përmes Skype, por edhe të burgosurat të cilat janë vendore këtu por që i kanë familjet jashtë, edhe atyre u bëhet e mundshme një gjë e tillë, komunikimi përmes platformës Skype. Vizitat zgjasin një orë, përveç vizitave të veçanta, është një regjim tjetër i vizitave që mund të zgjasin 3 orë, me familjarë, me bashkëshortë, është organizim i një lloj vizite tjetër. Ndërsa telefonatat sipas rregullit nuk mund të zgjasin më shumë se 15 minuta, por regjimet e avancuara mund të flasin disa herë. Kështu që mendoj që komunikimin institucioni e ka rregulluar në mënyrë të duhur dhe edhe të burgosurat janë të kënaqura me këtë lloj të komunikimit”, ka theksuar ai.
Një vizitë e veçantë që u lejohet të burgosurave është ai me bashkëshortë, për të cilën drejtori thotë se mund të shfrytëzohet 1 herë në muaj dhe që zgjat deri në 3 orë.
“Është një ambient i veçantë ku bashkëshorti me bashkëshorten mund të kalojë një moment bashkëshortor së bashku dhe ne ia mundësojmë. Garantohet intimiteti, garantohet gjithçka dhe ajo është me legjislacion e rregulluar që të shfrytëzohet së paku një herë në 3 muaj. Ne zakonisht i aprovojmë këto kërkesa të të burgosurave më shpesh por kjo është diçka që ndikon jashtëzakonisht mirë në përmirësimin e raporteve të të burgosurave këtu dhe familjarëve jashtë”, shpjegon drejtori.
Shkeljet disiplinore janë të rralla. Nuk ka as raste të natyrës së rëndë, tentim vrasje apo vetëlëndime, për çka drejtori thotë se është kënaqësi që s’ka raste të tilla dhe që mund t’u ofrojnë akomodim të duhur të burgosurave.
“Fatmirësisht janë shumë të rralla. Ne po mundohemi që t’i rregullojmë disa të cilat kanë probleme më të theksuara të çrregullimeve mendore dhe kur arrijmë t’i mbajmë nën kontroll ato, qoftë përmes psikiatrit, qoftë psikologut, qoftë përmes departamentit shëndetësor të burgjeve që janë jashtëzakonisht të kujdesshëm, po arrijmë që t’i menaxhojmë të gjitha këto defekte të mundshme që mund të lindin te të burgosurat dhe nuk kemi fort raporte të theksuara disiplinore. Nuk kemi pasur. Së paku këtë vit sa kam qenë unë, jo”, potencon Topalli.
“Raste të tilla nuk kemi. Nuk kemi incidente të natyrës së rëndë, vetëlëndime, vetëvarje, vetëvrasje, nuk kemi, as tentim nuk kemi pasur dhe kjo është një kënaqësi që megjithatë ato ndihen mirë në rrethanat që mund t’u ofrojmë si institucion korrektues dhe ne si staf, që është një staf jashtëzakonisht profesional dhe i kualifikuar këtu po ndihemi edhe ne mirë, kur i shohim ato po akomodohen, po e kalojnë kohën bukur”.
Për shëndetin e të burgosurave në burg kujdeset stafi mjekësor, ku ofrohen disa shërbime.
“Këtu ofrohen shërbime stomatologjike, është psikiatri, psikologu, mjeku është i përditshëm këtu, në orarin 8-16, ndërsa në periudhën tjetër është tekniku që kujdestaron, por gjithmonë një mjek është në kujdestari në linjë të drejtpërdrejt në telefon”, deklaron ai.
Në burgun e femrave në Lipjan janë gjithsej 4 pavijone, të ndara në bazë të regjimeve.
“Varësisht nga regjimi. P.sh:. të paraburgosurat vendosen në pavijonin B, aty qëndrojnë derisa ta marrin vendimin prej gjykatës, pastaj kalojnë në regjim standard, pastaj në regjimin e avancuar, gjysmë të hapur dhe këto janë mundësitë që ky institucion korrektues mund t’i ofrojë, për faktin se është një institucion i ndërtuar për një kohëzgjatje relativisht 6 vjeçare, dhe është aprovuar vendimi për fillimin e ndërtimit të burgut të ri dhe burgu i ri që do të ndërtohet brenda 2 ose 3 vitesh do t’i plotësojë të gjitha standardet të cilat parashihen dhe besoj që tretmani ndaj të burgosurave dhe ofrimi i kushteve për risocializim do të jetë krejt e nivelit tjetër. Aktualisht i kemi katër. Është një pavijon me katër hyrje, d.m.th secila hyrje e ka regjimin e veçantë ku strehohen të burgosurat”, tregon ai.
Topalli ka folur dhe për lirimin me kusht dhe faljen e të burgosurave, derisa presidentja Vjosa Osmani që nga marrja e mandatit nuk ka falur ende asnjë të burgosur.
“Unë publikisht mund ta falënderoj kryesuesen e panelit për lirim me kusht, gjyqtarja Valdete Daka, që prej momentit që e ka marrë kjo është krejtësisht një qasje tjetër, solidare mund të them por edhe profesionale mbi të gjitha dhe kemi pasur të gjitha ato të burgosura të cilat e kanë kaluar një kohë të gjatë të dënimit dhe për të cilat ka shkuar raporti prej institucionit që janë risocializuar, të gjitha ato janë falur, me dënime kohëzgjatje të ndryshme, por të gjitha kanë përfituar falë një qasje tejet profesionale të panelit për lirim me kusht. Ndodh vazhdimisht. E fundit që ka ndodhur ka qenë para një muaji, ka fituar 6 muaj, ka pasur raste kur kanë fituar 2 vjet, 3 vjet, deri në 5 vjet të burgosurat. Një e burgosur që ka qenë e dënuar me 18 vjet burg, i ka mbajtur 13 vjet, për mendimin tonë, mbajtja e saj tutje ka qenë vetëm investim i kotë i shtetit dhe shkatërrim i mendjes dhe nervave të saj. Edhe raportet që i ka pasur, asnjë incident, është vlerësuar tamam në mënyrë profesionale nga paneli dhe ka marrë vendim për lirimin me kusht”, thotë ai tutje.
Por, kjo qendër korrektuese ka edhe sfida. Drejtori Ylber Topalli thekson disa prej sfidave me të cilat përballen, që lidhen me të burgosurat.
“Vet institucionet korrektuese e kanë menaxhimin sfidues. Por, megjithatë ne po arrijmë t’ia dalim me gjithçka. Kohë pas kohe kemi problem me disa të burgosura të cilat kanë çrregullime të theksuara mendore e të cilat po të kishin hapësirë institucionet për trajtim në Forenzikë në Prishtinë apo në spitale të natyrës që kërkojmë t’i trajtojnë ato të burgosura, do të ishte lehtësim për neve sikur të shkojnë ta marrin terapinë, të qetësohen e pastaj të vijnë ta vuajnë dënimin. Këtu janë disa mundësi më të kufizuara të dhënies së terapisë. P.sh.: Instituti Psikiatrik i Forenzikës atje i kanë disa të drejta më shumë për trajtimin e këtyre të burgosurave. Këtu janë disa të drejta, jo që nuk duam, por janë disa mundësi të ofrimit të kushteve më të kufizuara, p.sh.: nuk mund t’i japësh terapi të dhunshme, ata e kanë mundësinë për t’u dhënë për t’i qetësuar”, potencon ai për Expose.
“Është në proces, unë besoj që shumë shpejt do të zgjerohen kapacitetet e pranimit të Institutit, është në proces e sipër dhe kjo do të jetë problem i harruar shumë shpejt besoj”
Po ashtu, ai thotë se burgu nuk e ka vetëm anën e errët, teksa përmend punët që bëjnë të burgosurat e thotë se jeta brenda mureve të burgut është dinamike.
“Është mirë që qytetarët ta shohin jo vetëm anën e errët të burgut, por t’i shohin edhe anët tjera. Këtu ka trajnime të ndryshme, të burgosurat këtu kanë bërë punime në argjend, filigran, këto janë shitur në ankand dhe paratë u janë dërguar në llogari të burgosurave. Mbahen koncerte, ka pasur këngëtarë që kanë ardhur, ka kurse të rrobaqepësisë, kurse për IT, dhe një është një jetë jashtëzakonisht dinamike këtu, kanë aktivitete sportive 5 herë në javë të dënuarat, 3 herë të burgosurat”, thotë Topalli.
“Ne po mundohemi që t’ua ofrojmë të gjithë asistencën e duhur që ato të ndihen sa më të qeta, të relaksuara, që ta përfundojnë kohën e dënimit dhe të kthehen në shtëpitë e tyre dhe në shoqëri të risocializuara, ku do të fillojnë të japin kontributin për familjen”, përfundon drejtori Ylber Topalli./Gazeta Blic/


