Për dokumentarin Expose ka ndarë rrëfimin edhe një tjetër e burgosur. Ajo ka përfunduar gjysmën e dënimit prej 7 vitesh në total, teksa tregon se brenda ajo edhe punon.
“Së pari zgjohem në mëngjes e pi një kafe, e marrim mëngjesin, nisim punën, dikush në kuzhinë, dikush në kopsht, tash koha e bahçes veç ka përfunduar, dikush për pastrim na thirrin, pastaj dalim në shëtitje, pastaj marrim libra për të lexuar, rrimë me shoqe, pak me punë e kalojmë ditën. Unë kam punuar në bahçe, kemi mbjellë speca, domate, kemi punuar në bahçe më shumë”, shprehet ajo.
Mbyllja thotë se është e vështirë vetëm të mendohet, por qëndrimin brenda katër muresh thotë se ia lehtëson shoqëria brenda e stafi. Nuk ankohet as për kushtet, megjithatë thotë se është burg.
“Është e vështirë kur mendon që je e mbyllur, por kur i ke njerëzit e mirë, shoqëria e mirë, oficeret janë shumë të mira, i kanë sjelljet e mirë dhe është më lehtë, na e lehtësojnë qëndrimin këtu. Kemi bibliotekën, libra të lexojmë, kemi televizor që ta shikojmë, rrimë me shoqe këtu, e kalojmë mirë. Kemi marrë programe rrobaqepësie i kemi marrë diplomat, informatikë, i kemi marrë menaxhimi i zemërimit, shkathtësi sociale e këto programe krejt”, thotë ajo.
“Kushtet s’janë të këqija, s’mund të them të këqija, si në burg, nuk është keq, i kemi ushqimin, punën…burg….ndoshta mund të jenë kushte edhe më të mira por për momentin burgu këto kushte i ka”.
Një tjetër lehtësim e që e bën ta harrojë mërzinë thotë se janë vizitat e familjarëve, të cilat i ka dy herë në muaj. E një tjetër e mirë për të thotë të jetë mundësia që nga nëntori do të lirohet në shtëpi gjatë vikendeve.
“Më vijnë 1 herë në muaj, dy herë në muaj, varet, sepse prindi edhe është në moshë të shtyrë dhe problem të udhëtojë. Është shumë më lehtësim sepse na bëjnë ditën më të mirë, kur na vijnë familjarët ndihemi më mirë, më të gëzuar, më të çliruar, e harron pak mërzinë, e mendon atë se si ke kalu me familje”, vazhdon rrëfimin.
“Vikendet i kam tani në nëntor. Dy ditë. Pak më lehtësim sepse do të dal ta shoh botën, ta shoh qytetin, si kanë ndryshuar gjërat, sepse kam qenë e mbyllur këtu 3 vite e gjysmë, do të dal të shoh ngjyra, këtu është ambient i mbyllët, i mungon ngrohtësia, ngjyrat, syri do të shohë diçka më mirë, ngjyra, më mirë”, thekson ajo.
Nga vuajtja e dënimit i kanë mbetur edhe 3 vite e gjysmë, por kjo e burgosur shpreson në falje nga presidentja Osmani.
“Edhe 3 vite e gjysmë por po shpresoj që të ketë ndonjë lirim me kusht, ndonjë falje prej presidentes. Presidentja e Kosovës duhet të falë, pa marrë parasysh, çdo njeri ka mundësi të dytë, duhet të na shikohen sjelljet tona, janë shumë të mira, punojmë, nuk bëjmë probleme, duhet të na lehtësojë, të na ndihmojë pak, të na falë”.
Pas përfundimit të dënimit dhe lirim ajo thotë se dëshiron t’i ndjek ëndrrat, të punojë e të vazhdojë të merret me pasionin e saj, poezinë.
“Ëndrrat e mia me i ndjek. Unë drejtimin juridik e kam në përfundim, dua të merrem me drejtim timin dhe në të ardhmen të merrem dhe me poezi dhe të punoj më shumë”
“E mbyllur në vetmi” është titulli i librit me poezi të cilin e ka shkruar gjatë qëndrimit në burg, e i cili është botuar aty, gjë që ka ndodhur për herë të parë në këtë qendër korrektuese.
“Libri im quhet “E mbyllur në vetmi”, i kam bërë disa poezi, janë të kuptueshme dhe të lehta. I kam bërë për dashurinë, për kohën që kam qëndruar këtu brenda në burg. Libri i ka 51 poezi. Po do të vazhdoj edhe jashtë kur të dal. Do të merrem me poezi, edhe ndonjë tregim, do të bëj libra tjerë”, përfundon rrëfimin e burgosura./Gazeta Blic/


