Lajme

President apo zgjedhje të reja?/ Deputeti i LDK-së: Varet nga vullneti politik i Kurtit – deri tani asgjë konkrete

04/08/2026 20:02
nga:G B

Asnjë marrëveshje politike nuk është arritur ende nga partitë politike, për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Derisa Vjosa Osmani përfundoi mandatin e presidentes më 5 mars, pozita e kreut të shtetit ka mbetur me ushtrues detyre.

Zgjedhja e tij mbetet në pikëpyetje, nëse do të ndodhë brenda afatit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese.

Kryeministri Kurti pati takim me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, por pa rezultat.

Ndonëse numri i deputetëve të LDK-së dihet, pas takimit Kurti tha se iu duhen 84 apo 85 deputetë dhe jo vetëm 81.

Tani ka mbetur mundësia e takimit të Kurtit me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, teksa kjo parti ka kërkuar nga kreu i VV-së që të precizojë saktë se për çka do të diskutojnë.

Nëse presidenti nuk zgjedhet brenda afatit kushtetues, vendi shkon në zgjedhje të reja.

Lidhur me gjithë këtë, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se varet nga vullneti i Kurtit nëse do të kemi president apo zgjedhje të reja.

“President të vendit apo zgjedhje të reja, varet nga vullneti politik i fituesit të zgjedhjeve, pra VV-së, apo thënë më saktësisht z.Kurti”, ka vlerësuar ai.

Sipas Zogajt, derisa deri tani s’ka asgjë konkrete për presidentin, mbetet të shihet në ditët në vazhdim se çka do të propozohet.

“Ka edhe 3 javë kohë, andaj do të shohim çfarë do të propozohet në ditët në vazhdim. Deri më tash nuk ka asgjë konkrete”, ka deklaruar deputeti i LDK-së, Alban Zogaj./Gazeta Blic/

 

“S’duhet të ketë takime për presidentin – vendi të shkojë në zgjedhje, populli të vendos a do autoritarizëm apo demokraci”

Ish-deputeti i AAK-së: ‘Fushata zgjedhore veçse ka filluar’

‘Kurti më rrëzoi kur të gjithë më donin sërish Presidente’, Rexhaj i LVV: ‘Deklaratë nën afekt s’ka patur vota nga deputetët’

Haxhiu: Uroj që të mos vijë situata që të shpall datën e zgjedhjeve