Pas dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese, u dha deputetëve të Kuvendit edhe 34 ditë kohë për të zgjedhur Presidentin e ri të vendit.
Në lidhje me këtë çështje, Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka filluar takimet me krerët e partive opozitare.
Pas takimit të mbajtur me kryetarin e LDK-së, Abdixhiku në fillim të javës, Kurti ka paralajmëruar takim edhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Kujtojmë se deputetët kanë kohë deri me datën 28 shkurt për të zgjedhur Presidentin e ri, në të kundërt vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme brenda një afati 45 ditor.
Në lidhje me këtë çështje dhe se çfarë pritet të ndodhë në ditët në vijim ka folur për “Gazeta Blic”, ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.
Dreshaj tha se që nga dita që Gjykata Kushtetuese nxori këtë vendim, fushata elektorale veçse ka filluar.
Sipas tij kjo shihet nga veprimet e partive politike e veçanarisht aktivitet e kryeministrit Kurti.
“Mendoj se ka kohë që fushata zgjedhore veçse ka filluar, dhe kjo që nga dita kur Gjykata Kushtetuese mori verdiktin. Kjo shihet qartë nga veprimet e partive politike, e veçanërisht nga aktivitetet e zotit Kurti. Vizitat familjare dhe ceremoniale, si të Kryeministrit ashtu edhe të u.d. Presidentes Haxhiu, nuk janë agjendë shtetërore dhe aktivitete për dalje nga kriza, por qartazi janë aktivitete promovuese partiake” deklaroi Dreshaj.
Ish-deputeti i AAK-së tha se takimet e Kurtit me krerët e partive opozitare janë farsë për përuljen dhe denigrimin e tyre dhe tentim për bartjen e përgjegjësisë te opozita pse vendi po shkon në zgjedhje të parakohshme.
“Takimet me krerët opozitarë të LDK-së dhe PDK-së janë farsë për përuljen dhe denigrimin e tyre dhe, njëkohësisht, tentim për bartjen e përgjegjësisë te opozita pse vendi po shkon në zgjedhje të parakohshme. Kjo, vërtet, është një papërgjegjësi menaxheriale.Në situatën aktuale gjeopolitike, një sjellje e tillë e partisë shumicë në pushtet është, së paku, papërgjegjësi. Kompromiset politike në demokraci nuk nënkuptojnë nënshtrim dhe ofendim të partive me përfaqësim më të vogël. Numrat nuk janë gjithçka. Madhështia qëndron në ndërtimin e tolerancës dhe harmonisë në vend, gjë që duket se kësaj legjislature dhe ekzekutivit u mungon.Është gjithashtu fakt se këto zgjedhje janë të kontaminuara. Vetë akti i rinumërimit të votave dhe proceset gjyqësore për procesin zgjedhor e shtojnë nevojën për zgjedhje” deklaroi Dreshaj në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Shemsedin Dreshaj-AAK
/Gazeta Blic/


