Ish-Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në paraqitjen e fundit televizive ka hedhur kritika në drejtim të kryeministrit, Albin Kurti.
Osmani tha se e ka mbrojtur Albin Kurtin edhe kur të gjithë ishin kundër tij dhe donin ta rrëzonin.
Ndërsa, sipas saj, Kurti e rrëzoi atë kur të gjithë e donin si Presidente.
“Unë e kam mbrojtur kryeministrin Kurti kur të gjithë kanë qenë kundër tij, kur të gjithë donin të rrëzonin, kurse ai më rrezoi mua kur të gjithë më kërkonin presidente. A e shihni dallimin këtu” ka deklaruar Osmani rapoton “Gazeta Blic”.
Në lidhje me deklaratën e ish-Presidentes Osmani ka ardhur një reagim nga Lëvizja Vetëvendosje.
Deputeti i këtij subjekti politik, Arbër Rexhaj, tha për “Gazeta Blic” se ‘askush nuk e ka rrëzuar Presidenten Osmani dhe se një deklaratë e tillë duket se është dhënë nën afekt’.
Madje sipas deputetit Rexhaj edhe vendimi për të shpërndarë Kuvendin ishte nën afekt.
“Askush nuk e ka rrëzuar Presidenten sepse asaj i ka kaluar mandati, mandati për të cilen kam votuar edhe unë personalisht edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Tani, Presidenti siç po shihet, duhet të zgjidhet me konsensus të gjerë edhe të Partisë Demokratike edhe të Lidhjes Demokratike. Ajo kur e ka thënë këtë, besoj se e ka thënë në afekt. Madje edhe veprimi i saj për t’a shpërndarë Kuvendin po ashtu ishte nën afekt” deklaroi Rexhaj.
Rexhaj tha se Kurti dhe LLVV s’janë fajtor për mos-rizgjedhjen e saj (Osmanit) në krye të shtetit pasi, sipas tij, Osmani nuk ka patur përkrahje nga deputetët.
“Në këtë kuptim fajtor nuk është Albin Kurti për të as Lëvizja Vetëvendosje sepse e din mirfilli që nuk ka patur numra dhe përkrahje të zgjidhet nga deputetët e tjerë prandaj edhe nuk është vendosur si emër për të garuar. E ka patur të drejtën e plotë që t’i mbledh nënshkrimet dhe të garoj, nuk e ka bërë këtë gjë, prandaj mendoj se është deklaratë e ngutur edhe deklaratë nën afekt” deklaroi Rexhaj në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Arbër Rexhaj-LVV
Pasi Gjykata Kushtetuese i’u dha deputetëve edhe 34 ditë kohë për zgjedhjen e Presidentit, takimet kanë rifilluar për të gjetur një zgjidhje.
Kryeminsitri Kurti ka mbajtur një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa ka paralajmëruar një takim edhe me kreun e PDK-së, Bedri Hamza.
Kujtojmë se deputetët kanë kohë deri me datën 28 shkurt për të zgjedhur Presidentin e ri, në të kundërt vendin shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme brenda një afati 45 ditor.
/Gazeta Blic/


