Lajme

Eman Rrahmani: Është rritur numri i deputetëve të VV-së që kundërshtojnë Kodin Civil

05/05/2024 22:42
nga:G B

Albin Kurti pos me opozitën e deputetët e pavarur, ka probleme edhe me shumë deputetë brenda grupit Parlamentar të VV-së.

Njëri prej tyre është Eman Rrahmani. Ai për emisionin “Expose” prodhim i Gazeta Blic ka theksuar se për dallim nga dy vite më parë kur dështoi Kodi Civil, kësaj radhe edhe më i madh është numri i deputetëve kundër.

“Po kryeministri Kurti edhe para dy vitesh është marrë me këtë, kemi pasur diskutime edhe në Grupin Parlamentar mes deputetëve, mirëpo këto janë qëndrime të deputetëve, të cilët vendosin për votën e tyre se si do të votojnë për çështje të caktuara. Kurse sa i përket Kodit Civil, unë besoj që kurdo që vjen do të ketë vota edhe më shumë kundër se sa që ka pasur para 2 viteve, në raport me të. Të paktën nga diskutimet që kam pasur unë me deputetët, ka deputetë të cilat kanë votuar pro herën e kaluar dhe tani janë kundër”, thotë ai.

Ai thotë se ky projektligj nuk do të vije në Kuvend këtë mandat dhe s’ka as mbështetje.

“Absolutisht që jo. Unë nuk besoj që vjen në këtë mandat Kodi Civil në Kuvend për votim. Kuvendi dhe deputetët kanë dhënë vlerësimet lidhur me të dhe unë nuk pres që të vijë sepse nuk ekziston vota e as mbështetja, e aq më pak mbështetja tek qytetarët për këtë Kod Civil çfarë na është ofruar dhe unë nuk pres që s’do të vije këtë mandat”, thekson deputeti për Expose.

Rrahmani tregon se diskutimi i vetëm me Kurtin ka qenë para 2 vitesh për këtë projektligj.

“Diskutimi i vetëm ka qenë i para dy viteve, para se të vinte në votim, aty kemi pasur diskutime ku nuk jemi pajtuar dhe prej atëherë nuk kemi pasur ndonjë diskutim apo presion çfarë po flitet shpeshherë edhe në media”, potencon deputeti i VV-së.

Por, a mund të ndëshkohen nga Albin Kurti deputetët e VV-së që po e kundërshtojnë votimin e Kodit Civil?

Rrahmani ka theksuar se ai vetë vendos nëse do të jetë kandidat për deputet e jo dikush tjetër.

“Sa i përket çështjes së kandidaturës për deputet vendosi unë se a do të jem kandidat apo jo dhe jo dikush tjetër. Kurse çështjet tjera janë pak të rëndësishme lidhur me angazhimin që unë bëj dhe qëllimin që kam si deputet, andaj për mua është me rëndësi që çdo gjë që mendoj se është e padobishme dhe e dëmshme për vendin të parandalohet dhe të mos lejohet t’i ofrohet qytetarëve të Kosovës, kështu që angazhimi im është për ndaljen e këtyre çështjeve që mendoj se janë të dëmshme, për çështje të tjera, a do të kandidoj apo jo vendosi unë dhe jo dikush tjetër për mua dhe çështje tjera besoj pas mandatit duhet të diskutohen”, deklaron deputeti.

Ai shpjegon dy paragrafët problematike të një neni të këtij projektligji.

“Janë dy paragrafë të një neni të cilat e rregullojnë çështjen e martesave të gjinisë së njëjtë apo bashkëjetesës së tyre, kjo është kundërshtuar, është kërkuar prej ministres dhe prej kryeministrit që të largohen këto dy nene e pastaj të procedohet me Kodin Civil me çështje që duhet të rirregullohen por që janë problematika më të vogla për të cilat mund të gjendet edhe bashkëpunim edhe koordinim se si të rregullohen ato”, shton ai.

Deputeti nuk i komenton mundësitë që Kurti ta përdorë këtë projektligj për ta çuar vendin në zgjedhje.

“Nuk është se merrem me komentimin e thashethemeve sepse as s’ka pasur një deklarim të tillë apo diçka tjetër, çkado që veprohet ne këtu jemi dhe e mirëpresim
Të paktën me tre prej deputetëve që kam diskutuar që herën e kaluar kanë votuar për, kanë deklaruar që kurdo që vjen kanë votë kundër Kodit”, përfundon deputeti i VV-së, Eman Rrahmani./Gazeta Blic/

Duda Balje: Nuk ndryshoj qëndrim për Kodin Civil, është gabim që po e ngjyrosin me LGBTQ+

“PDK s’merr pjesë në votim”/ Lushtaku: ‘Nxjerrjen’ në skenë të Kodit Civil, Kurti po e bën vetëm që ta tërheq vëmendjen nga Asociacioni

Teologu Florim Flugaj: Ky është qëndrimi i Bashkësisë Islame për Kodin Civil

Arbër Nuhiu: Kurti e ka mbrojtur Kushtetutën kur ka paralajmëruar miratimin e Kodit Civil