Lajme

Duda Balje: Nuk ndryshoj qëndrim për Kodin Civil, është gabim që po e ngjyrosin me LGBTQ+

05/05/2024 21:09
nga:G B

“Do t’i siguroj personalisht votat shumë shpejt”.

Kjo deklaratë e kryeministrit Albin Kurti për Kodin Civil, gjatë një fjalimi në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, ka nxitur reagime të shumë në vend.

Shumë deputetë jo vetëm të opozitës, por edhe të partisë së kryeministrit Kurti kanë paralajmëruar votë kundër këtij projektligji, i cili lejon martesën e personave të gjinisë së njëjtë.

Pos shumë deputetëve, të cilët para dy vjetësh votuan kundër këtij projektligji, reagime të shumta pati edhe nga bashkësitë e ndryshme fetare, e grupe të ndryshme shoqërore, duke kundërshtuar fuqishëm këtë projektligj.

Megjithatë, nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore thonë se kryeministri Kurti e ka mbrojtur Kushtetutën kur ka paralajmëruar miratimin e Kodit Civil, kod ky që lejon martesat e personave të gjinisë së njëjtë.

Në anën tjetër, një deputete e Kuvendit të Kosovës duket se është në “krye” të deputetëve kundërshtues për Kodin Civil.

Ajo është deputetja Duda Balje, e cila tha se mezi po e pret takimin me kryeministrin Kurti, derisa shtoi se ky projektligj si i tillë nuk do të kalojë.

Ajo thotë se ende s’është kontaktuar nga Kurti dhe se e pret takimin me të, duke shtuar se nuk e ndryshon qëndrimin.

“Unë deri tani nuk kam pasur asnjë thirrje as nga kryeministri, as nga Grupi as ndonjë person. Por nëse ka thënë ashtu, unë po e pres takimin. Unë disa herë e kam thënë se unë nuk e ndryshoj qëndrimin”, thotë ajo.

Balje shprehet se projektligji nuk do të mund të kalojë nëse nuk voton opozita.

“Nëse opozita nuk voton, është problem që të kalojë sepse edhe disa deputetë të Vetëvendosjes nuk besoj se do ta ndryshojnë qëndrimin”, thekson ajo për Expose.

Deputetja nuk mendon se Kurti po e përdor këtë projektligj për ta çuar vendin në zgjedhje, pasi thotë se ky është një ligj shumë i rëndësishëm, por që po duan ta ngjyron me LGBT+Q, që sipas saj është gabim.

“Nuk e besoj, nuk e besoj. Kodi Civil është vërtetë shumë i rëndësishëm për një shtet dhe ne kemi propozuar që ta heqim nenin diskutabil që Kodi Civil të kalojë. Tash, nëse ata po duan ta ngjyron Kodin Civil me LGBT+Q, atëherë janë gabim sepse unë nuk mendoj se Kodi Civil është LGBT+Q sepse ata janë veç një nen dhe unë nuk besoj se ka me qenë një arsye për zgjedhje”, vlerëson ajo.

Balje vlerëson se Kurti ka pasur presion në vizitat që ka qenë jashtë vendit për këtë çështje, derisa thotë se deputetët e VV-së që kanë qenë kundër, s’kanë ndryshuar qëndrim.

“Sepse ka qenë jashtë dhe unë mendoj se ka pasur presion dhe ka zgjedhur këtë mënyrë, por nuk është puna e lehtë sepse disa deputetë brenda VV-së janë kundër dhe kryeministri duhet të fillojë prej shtëpisë së tij, prej partisë së tij. Sa unë e di deputetët e VV-së nuk do ta ndryshojnë qëndrimin. Edhe ne në Grupin Multietnik unë jam kundër, ka qenë dhe një deputet nga komuniteti boshnjak që ka qenë kundër, ndoshta edhe nga komuniteti turk një, d.m.th nuk jemi bash komplet krejt qysh jemi me vota”, deklaron Duda Balje./Gazeta Blic/