Lajme

Diskriminimi i pensionistëve kontributpagues në skemat shtetërore

03/08/2024 07:53
nga:Sh R

Familjarët e të vrarëve, të zhdukurve, invalidët dhe veteranët detyrohen të zgjedhin mes pensionit që parasheh ligji për kategoritë e luftës dhe pensionit. kontributpagues.

Hajdar Gashi shfleton me shpejtësi një dosje dokumentesh të reja e të vjetra, dhe duart i dridhen mbi tavolinë.

Kopjen e tyre një ditë më parë e kishte dorëzuar në zyrat e Avokatit të Popullit. Ka më shumë se katër vjet që 69 vjeçarit nga fshati Lladrovc i Malishevës, po i refuzohet pensioni kontributpagues. Në zyrat e Qendrës për Punë Sociale, që janë nën ombrellën e Ministrisë së Financave dhe Transfereve në Malishevë, zyrtarët i kanë thënë se ai mund ta marrë vetëm pensionin e veteranit të luftës, por jo edhe pensionin kontributpagues.

Gashi kishte filluar punën në vitin 1977 dhe kishte punuar për 5 vjet në Ndërmarrjen ‘Cesto’ në Maribor të Slloveninë, pastaj 5 vjet të tjera në Ndërmarrjen ‘Jugomont’ në Kroaci dhe gati një dekadë në Ndërmarrjen shoqërore ndërtuese “19 Nëntori” në Suharekë, deri në vitin 1990 kur edhe ishte larguar nga puna si qindra-mijëra shqiptarë të Kosovës. Në verë të vitit 1998 ai i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nga fundi i vitit 1999 kishte punuar si shofer në Komunën e Malishevës deri në moshën e pensionimit në vitin 2019.

“Pas disa ditësh, kur mbusha moshën e pensionimit, shkova t’i dorëzoj dokumentet, por një zyrtar aty më tha se të takon vetëm një pension,” tregon Gashi për RTK-në.

“Kam shkuar katër herë për t’i dorëzuar dokumentet, por nuk m’i ka pranuar dhe nuk më ka dhënë asnjë përgjigje me shkrim. Vetëm më ka përsëritur se duhet të zgjedh ndërmjet pensionit tim të punës dhe atij të veteranit,”thotë ai.

“Urdhëresa diskriminuese”

Si Gashi, në vitet e fundit, shumë nga ata që kanë qenë veteranë lufte, invalidë apo kanë pasur familjarë të vrarë ose të zhdukur, pasi kanë mbushur moshën e pensionit janë detyruar të zgjedhin vetëm njërin nga pensionet, pavarësisht se kanë pasur kontribute të paguara me dekada.

Ndërprerja ishte bërë në vitin 2016 përmes një urdhërese administrative të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ligjshmëria e cilës është kontestuar nga vendimet e Gjykatës së Apelit dhe një raport hetues i Avokatit të Popullit.

Urdhëresa që thirrej në nenin 16 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, që thotë se “personat që janë përfitues të cilitdo pension të skemave pensionale, nën asnjë rrethanë, nuk mund të jenë përfitues të ndonjë pensioni nga skemat e veçanta pensionale që administrohen nga Ministria”.

Kjo ka detyruar veteranët, invalidët e luftës apo familjarët e personave të zhdukur të zgjedhin cili nga pensionet është më i lartë.

Avokati i Popullit thekson se bazuar në Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve dhe Viktimave Civile, Kushtetutën e Kosovës dhe praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, “legjislacioni vendor nuk mund assesi të kushtëzojë ushtrimin e së drejtës në pensionin kontribut -pagues të moshës”.

Gjithashtu, sipas një raporti të Avokatit të Popullit për diskriminimin në skemat pensionale, duke vepruar në kundërshtim me praktikën e GJEDNJ-së dhe prioritetin e saj ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike” legjislacioni i Kosovës po bën diskriminim në bazë të pronës, duke kushtëzuar ushtrimin e së drejtës në këtë pension në rast të mohimit të një pensioni tjetër të paraparë me skemën pensionale të shtetit.”

Përderisa pensionistët si Gashi ballafaqohen me dy ligje që ngatërrojnë çështjen e pensionit kontributpagues edhe atë të veteranit apo kategorive të tjera, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka konfirmuar se ka nisur një hetim tjetër për shkeljet në të drejtën e pensionit. “Avokati i Popullit do të hetojë çështjen e ngritur dhe ditëve në vijim do ta bëjë publik qëndrimin e tij, pasi për këtë ka pranuar ankesa nga qytetarët”.

Vendimet e kundërta të gjykatës

RTK-ja ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Financave dhe Transfereve për rastet e veteranëve dhe familjarëve të personave të vrarë e të zhdukur dhe veteranëve të luftës dhe detyrimit për zgjedhjen e vetëm të njërit pension, por nuk ka marrë ndonjë sqarim.

“Unë kam paguar vazhdimisht kontributin pensional, në fund nuk vlejti asgjë, përveçse një sjellje përçmuese nëpër zyra”, thotë Gashi.“Tash është e mundimshme m’u përplas poshtë e lartë, e nëpër gjykata për të drejtën tënde.”

Nga qindra raste të dërguara në gjykatë deri më tani në disa raste gjykata ka vendosur në favor të personave kontributpagues.

Në shtator të vitit 2023, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e Shemsi Jetullahut, një invalid i luftës nga Llapashtica e Poshtme e Podujevës.

Abdullahu tregon për RTK-në se në vitin 2021 i është ndërprerë pensioni invalidor pasi kishte mbushur moshën e pensionit dhe duhej të zgjidhte ndërmjet pensionit të invalidit apo pensionit kontributpagues.

“Gjykata ka konstatuar se e drejta në pension kontributpagues është e drejtë themelore e njeriut, dhe nuk mund të ndahet nga pensioni bazë ngase janë paguar kontributet,” thotë ai.

Gjykata ia ka njohur atij të drejtën që të paguhet nga të dyja skemat në vlerën prej 189 euro.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, që monitoron sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe qasjen e qytetarëve në drejtësi, thotë se organizata që ai drejton këtë javë ia ka bërë një kërkesë ministrit të Financave dhe Transfereve që të nxjerrë një akt juridik për zbatimin e ligjeve në rastin e skemave pensionale.

“Mohimi me vite i së drejtës së qytetarëve në pensionin bazik është vetëm rezultat i një keqkuptimi dhe keqinterpretimit të ligjit nga ana e departamenteve të Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka thënë Miftaraj për RTK-në.

Korniza aktuale ligjore e Kosovës gjithashtu nuk garanton të drejtën për dëmshpërblim për të gjithë viktimat e luftës.

Në draftin e Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale që pritet t’i dorëzohet qeverisë, Ministria e Drejtësisë ka paraparë që familjarët e të vrarëve dhe të zhdukurve, invalidët dhe veteranët të mos kushtëzohen në zgjedhjen e vetëm një pensioni.

“I kam parë ndër vite problemet dhe pritjet e gjata të atyre që pensionohen, po disi shpresoja që nuk do e përjetoj edhe vetë kaq keq,” thotë Hajdar Gashi./rtk