Lajme

Deputeti i VV-së: Nuk pres kushte të reja për anëtarësim në KiE – besimplotë për kalim me sukses të dy fazave tjera

03/27/2024 22:59
nga:G B

Kosova ka kaluar hapin e parë drejt anëtarësimit në KiE.

Tani kanë mbetur edhe dy hapa të tjerë.

Raporti për anëtarësimin e Kosovës në KiE, në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës sot u votua pozitivisht me 31 vota pro, 4 kundër dhe një abstenim.

Katër votat kundër ishin nga përfaqësues serbë, ndërsa abstenimi erdhi nga Greqia.

Lidhur me fazat e ardhshme, për Gazeta Blic ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha.

Ai thotë se testi i radhës është në prill, ndërsa në maj ai përfundimtari, ku për të dy ka besim se do të kalohen me sukses.

“Në prill është testi i radhës dhe në maj është përfundimtari. Jemi besimplotë që të dy fazat do t’i kalojmë me sukses”, vlerëson deputeti.

Lidhur me atë se mund të jetë Asociacioni apo ndonjë kusht tjetër shtesë, Batusha potencon se nuk pret kushte të reja.

“Pas kalimit në Komitet dhe miratimit të Raportit, nuk besoj që do të kemi kushte të reja për të plotësuar”, deklaron deputeti i VV-së, Agon Batusha./Gazeta Blic/

Raporti për anëtarësim të Kosovës në KiE/ Këta janë dy hapat e tjerë drejt anëtarësimit – në prill votimi i radhës