Lajme

Beqa optimist: Dialogu mbyllet me njohje reciproke, nëse Lajçakun e zëvendëson ish-presidenti slloven

05/06/2024 12:57
nga:G C

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka paralajmëruar se këtë javë do të dorëzojë kandidaturën e tij në Bruksel që të jetë emisar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, raporton GazetaBlic.

Ndërsa këtë deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa e sheh si ndryshim të rrjedhës së dialogut, pasi sipas tij, Pahor është njohës i mirë i problemeve në rajo.

Beqa për GazetaBlic thekson se, Pahor është praktik sepse problemet që i njeh i ka kaluar edhe Sllovenia.

“Nëse zgjedhet ish-presidenti slloven, ndryshon pak rrjedha e dialogut Kosovë-Serbi. Pahor është njohës i mirë i problemeve në rajon, probleme në të cilat ka kaluar edhe vetë Sllovenia, është më praktik”, thotë Beqa.

Madje, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës është optimist se në mandatin e tij, dialogu Kosovë-Serbi mund të mbyllet me njohje reciproke.

“Jam optimist që në mandatin e tij do të mbyllet dialogu Kosovë-Serbi, me njohje reciproke, por punën kryesore duhet ta kryejnë institucionet e Kosovës”, tha Beqa për GazetaBlic.

Ndryshe, Pahor ka thënë se Sllovenia dhe ai kanë statusin e një ndërmjetësi të ndershëm dhe po ashtu ide se si të ngjallet procesi i ngecur i dialogut.

“Po përgatitem me shumë kujdes dhe përgjegjësi, ndoshta këtë javë kandidatura ime do të udhëtojë nga zyra ime dhe Ministria e Punëve të Jashtme për në Bruksel, në të cilën do të shpjegoj arsyet pse ndihem i përshtatshëm për ta zgjidhur këtë çështje. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Sllovenia, ashtu si unë, më duket mua, ka statusin e një ndërmjetësi të ndershëm, përvojë të pasur në këtë rajon dhe, natyrisht, gjithashtu një sërë idesh se si të rifreskohet ose ringjallet ky dialog i ngecur. Në përgjithësi, situata e sigurisë dhe politike në rajon është shumë shqetësuese”, ka thënë ai gjatë një interviste RTV Slovenia.

Pahor po synon ta zëvendësojë sllovakun Miroslav Lajçak i cili është propozuar për ambasador të BE-së në Zvicër.

Humolli: Kosova duhet ta refuzojë çdo ndërmjetës që vjen nga BE-ja, veç kështu mund të zgjidhet problemi me Serbinë

I gatshëm të zëvendësojë Lajçakun, Tahiri për Pahor: Ai e njeh pavarësinë e Kosovës!

Zëvendësimi i Lajçakut, a do të ndryshojë rrjedhën e dialogut – Flasin nga VV’ja