Lajme

Humolli: Kosova duhet ta refuzojë çdo ndërmjetës që vjen nga BE-ja, veç kështu mund të zgjidhet problemi me Serbinë

05/06/2024 10:41
nga:G C

Ish-deputeti i VV’së, Fatmir Humolli thotë se nëse në vend të Miroslav Lajçakut, si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, vjen ish-presidenti slloven Borut Pahor, nuk priten ndryshime në esencë, por vetëm në formë.

Krahas kësaj, Humolli thotë për GazetaBlic se në mënyrë që Kosova ta zgjedhë problemin me Serbinë, atëherë, duhet të refuzohet çdo ndërmjetës nga Bashkimi Evropian.

“Derisa është përfaqësues i BE-së, nuk pres ndryshim në esencë, vetëm në formë, sepse e njeh rajonin më mirë se të tjerët”, tha Humolli.

“Kosova që ta zgjedh problemin me Serbinë, duhet të refuzojë çdo ndërmjetës nga BE-ja dhe nuk duhet të bisedohet me Serbinë për Kosovn. Pra, vetëm kështu, faktorët ndërkombëtar do ta respektojnë vendin tonë, e Kosova do ta respektojë veten”, shton ai.

Sipas Humollit, Serbisë nuk i ka mbetë zgjedhje tjetër përveç se ta pranojë Kosovën.

“Serbia nuk ka zgjidhje tjetër vetëm që ta pranojë Kosovën, këtë zhurm që po e bën e ka për qëllim të fitojë nga naiviteti i Kosovës, sepse e ka pa që këtu dominon frika, e populli ynë thotë: Qeni i keq kur të ikësh të ndjek. Këso politike kemi sot në Evropë e Kosovë, Serbia e Rusia e ka pa fort mirë”, tha Humolli për GazetaBlic.

Ndryshe, ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, është shprehur i gatshëm ta zëvendësojë, Miroslav Lajcakun, si emisar special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi.

Pahor ka njoftuar se brenda pak kohësh do t’ia përcjellin kandidaturën e tij, Brukselit zyrtar.

“I jam mirënjohës të gjithëve për mbështetjen e tyre, madje edhe ata që mund të mos jenë përgjigjur do të kishin një koment kritik. Kështu që kam ndjenjën se e gëzoj këtë mbështetje në Slloveni dhe kjo do të thotë shumë për mua. Po përgatitem me shumë kujdes dhe përgjegjësi, ndoshta këtë javë kandidatura ime do të përcjellët nga zyra ime dhe Ministria e Punëve të Jashtme për në Bruksel, në të cilën do të shpjegoj arsyet pse ndihem i përshtatshëm për ta zgjidhur këtë çështje”, ka thënë Pahor në një intervistë për RTV Sllovenia.