Deputeti i LVV-së, Agon Batusha, në një prononcim për Gazeta Blic, i ka reaguar deputetit të LDK-së, Kujtim Shala, i cili në Blic Interview, duke komentuar çështjen e draft statutit të Asociacionit, tha se Kurti u dha autonomi serbëve dhe legalizoi pushtetin e Serbisë në Kosovë.
Batusha i është përgjigjur kësaj deklarate, duke thënë se kjo opozitë dikur e ka votuar Asociacionin, e sot po mban qëndrime të kundërta me votat e tyre të mëhershme.
“Kjo opozitë e ka ratifikuar marrëveshjen e Asociacionit me 2/3 e votave. Atë marrëveshje që Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë në shumicën e neneve të saj. Të njëjtit sot mbajnë qëndrime të kundërta me votën e tyre te mëhershme”, ka thënë ai.
Tutje, deputeti i VV-së ka thënë se opozita duhet të kërkojë falje ndaj qytetarëve për gabimet që ka bërë.
Së pari është të pranojnë gabimet dhe t’i kërkojnë falje popullit për veprimet e gabuara që kanë bërë, e për të cilat sot ende janë barrë e rëndë për Kosovën”, ka thënë Batusha.
Ai ka potencuar se LVV-ja po vazhdon të mbajë qëllimin e njëjtë.
“Ndoshta këta (opozita) kanë ndryshuar qëndrim e mendim, por Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbajë qëllimin e njëjtë, nuk lejojmë asgjë që cenon kushtetutshmërinë, integritetin territorial dhe sovranitetin”.
“Opozita njëherë tha që nuk e kanë parë draftin. Pastaj tha e kemi parë, por nuk e kemi analizuar. Tash sjellin konkluzione. Cilën deklaratë ta besojmë apo ta marrim seriozisht?”, ka deklaruar deputeti Agon Batusha./GazetaBlic/
Shala: Asociacioni e legalizon dhe njeh pushtetin e Serbisë në një pjesë të territorit të Kosovës


