Lajme

Bajqinovci: LDK e AAK s’janë të gatshme për zgjedhje – s’bëjmë koalicion me PDK-në e asnjë parti, do t’i fitojmë mbi 50 për qind

05/22/2024 22:06
nga:G B

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka folur për kërkesën e opozitës që kryeministri Kurti të japë dorëheqje dhe të shpërbëhet Kuvendi.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se LDK e AAK s’janë të gatshme për zgjedhje dhe se Kurti s’ka pse të japë dorëheqje pasi VV s’po kërkon zgjedhje.

Kërkesën e opozitës ai e quan të pakuptimtë.

Opozita po e kërkon dorëheqjen e kryeministrit sepse nuk po e ka guximin që ta shpërbëjë Kuvendin. Kryeministri Kurti e ka thënë publikisht se nëse opozita është e gatshme, PDK, LDK, AAK që të shkojmë në zgjedhje, ne jemi të gatshëm që të participojmë dhe ta shpërndajmë Kuvendin. Por, jo që kryeministri të japë dorëheqje, kjo është e pakuptimtë, ne nuk po kërkojmë dorëheqje, po kërkon opozita. Dhe këtë e ka thënë kryeministri, nëse opozita kërkon zgjedhje me çdo kusht, hajde ta shpërbëjmë kuvendin. LDK dhe AAK nuk janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje”, shprehet deputeti.

Ndërsa, ai e hedh poshtë mundësinë që VV dhe PDK me komunitetet joshumicë ta shpërbëjnë Kuvendin, duke shtuar se nuk pritet të ketë zgjedhje të parakohshme.

“Jo nuk ka mundësi që ne me PDK-në ta shpërbëjmë Kuvendin. Duhet komplet opozita të bëhet bashkë dhe ta shpërbëjmë Kuvendin. Dhe derisa LDK e AAK s’janë të gatshme, s’do të kemi mundësi ta shpërbëjmë Kuvendin. Në bazë të opozitës s’do të kemi zgjedhje të parakohshme, sepse nuk është unike”, thekson Bajqinovci për Gazeta Blic.

Në anën tjetër, ai ka folur dhe për mundësinë e një koalicioni VV-PDK, për çka thotë se s’do të ndodhë dhe s’ka pasur bisedime.

Ai shton se VV do t’i fitojë mbi 50 për qind të votave në zgjedhje dhe s’do të ketë nevojë për asnjë parti për koalicion.

“Jo, jo. Kjo është e pavërtetë sepse s’ka pasur bisedime për koalicion me PDK-në. Ne s’jemi për koalicion me PDK-në dhe me asnjë parti, sepse ne do të fitojmë 50 për qind të elektoratit pasi në çdo sondazh ka treguar se jemi mbi 50 për qind me mërgatën, andaj ne nuk do të bëjmë koalicion me PDK-në, kjo është dhe një narracion që po e krijon më shumë LDK-ja, duke e përhapur në opinion ndërsa ne kemi thënë se do t’i fitojmë zgjedhjet ashtu siç i kemi fituar në vitin 2021, populli do të na mandatojë prapë”, deklaron deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/

 

Mundësia për një koalicion VV-PDK? Flet Eman Rrahmani: I përgjigjet opozitës dhe për kërkesën për dorëheqjen e Kurtit

 

Kritikat për aksionin në veri, Haliti: Reagimet e ndërkombëtarëve ndër më të ashprat që i janë bërë Kosovës

“Fati i Kurtit”, PDK- ja e AAK-ja me qëndrime të ndryshme për shkuarjen në zgjedhje