Lajme

Kritikat për aksionin në veri, Haliti: Reagimet e ndërkombëtarëve ndër më të ashprat që i janë bërë Kosovës

05/22/2024 21:05
nga:Sh R

Para disa ditësh, policia dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë zhvilluar një aksion ku janë mbyllur gjashtë filiale të Bankës Postare Kursimore në veri.

Aty janë konfiskuar një shumë e konsiderueshme e parave në mesin e tyre 1.6 milionë euro dhe mbi 74 milionë dinarë, që bëjnë rreth 638 mijë euro.

Ky operacion policor ngjalli reagime tek faktori ndërkombëtar, që këtë zhvillim e quajtën të pakoordinuar.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se këto reagime janë ndër reagimet më të ashpra që i janë bërë Kosovës.

Tutje, deputeti vlerëson se të gjitha institucionet dhe përfaqësueset e miqësisë strategjike të Kosovës i bëjnë njëherazi reagimet kundër veprimeve të qeverisë së Kosovës.

Ai thotë se këto veprime e dëmtojnë në radhë të parë Kosovën dhe qytetarët e saj dhe më së shumti Kurtin dhe qeverinë e tij.

“Ne kemi reagime nga KFOR, SHBA, BE, OSBE, etj., kundër veprimeve të urdhëruara nga Kurti në veri të Kosovës. Ky është ndër reagimet më të ashpra që të gjitha institucionet, përfaqësuese të miqësisë strategjike të Kosovës i bëjnë njëherazi, kundër veprimeve të Qeverisë së Kosovës. Personalisht s’po dua ta them atë që mendoj, por strategjikisht këto veprime e dëmtojnë në radhë të parë Kosovën e qytetarët e saj e më së shumti Kurtin e Qeverinë e tij”, thotë ai për GazetaBlic.