Lajme

Quni për shqetësimet e SHBA-ve për tensione të reja nga serbët: Çdo veprim me peshë për sigurinë nacionale, Qeveria ta koordinojë me aleatët

02/01/2024 20:01
nga:G B

SHBA ka shprehur shqetësimet lidhet me zbatimin e rregullores së BQK-së, që ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë që nga 1 shkurti.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha sot se janë të shqetësuar se për shkak të çështjes së dinarit, mund të ketë tensione të reja nga serbët.

Lidhur me këtë, për Gazeta Blic ka folur deputeti i LDK-së, Anton Quni, njëherësh anëtar i Komisionit për Siguri.

Ai thotë se ngjarjet e kaluara kanë dëshmuar se vendimet e Qeverisë që s’kanë qenë në përputhje me aleatët, kanë krijuar opinione jo të mira për Kosovën, madje duke na vendosur dhe sanksione.

“Ngjarjet dhe përvojat nga e kaluara na dëshmojnë se vendimet dhe veprimet e Qeverisë, në shpërputhje me qëndrimet e aleatëve tanë, krijojnë opinione jo të mira për Kosovën, deri te vendosja e sanksioneve ndaj saj dhe përjashtimin nga ngjarjet ndërkombëtare, siç ishte “Defender 2023”. Po ashtu, këto shpërputhje nga boshti Moskë-Beograd, kuptohen si mundësi e mirë për destabilizimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon, që u dëshmua me inkursionin e formacioneve terroriste dhe paramilitare në pjesën veriore të Kosovës”, shprehet ai.

Deputeti thekson se Qeveria duhet të bashkërenditet me partnerët ndërkombëtarë për vendime me peshë për sigurinë nacionale.

“Prandaj, çdo veprim i Qeverisë së Kosovës me peshë për sigurinë nacionale, do të duhej të bashkërenditet dhe bashkëkoordinohet mirë me partnerët tanë strategjikë, e në veçanti me SHBA, të cilët me kapacitetet e tyre munden t’i menaxhojnë situatat më komplekse”, vlerëson Quni për Gazeta Blic.

Ai potencon se çelësi i suksesit për shtrirje të plotë të ligjshmërisë në tërë Kosovën është e garantuar duke u bashkërënduar me aleatët ndërkombëtarë.

“Çelësi i suksesit për shtrirjen e plotë të ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, është i garantuar vetëm me bashkëpunimin e sinqertë me partnerët tanë strategjik”, deklaron deputeti i LDK-së, Anton Quni./Gazeta Blic/

Frika e SHBA-ve për tensione për dinarin/ Bajqinovci: S’ka nevojë për shqetësim – vendimi do të respektohet sikur për targat e dokumentet