Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë sot se SHBA e kundërshton zbatimin e ngutshëm të rregullores së BQK-së.
Ai shprehu shqetësimin se Kosova rrezikon të përballet me tensione të reja në veri për shkak të rregullores së re të BQK-së, që thotë se euroja është e vetmja valutë zyrtare në vend dhe që ndalon dinarin serb.
Hovenier theksoi se ky vendim duhet të rishqyrtohet për shkak se ai mund të sjellë tensione të reja dhe eskalim të situatës në veri të Kosovës.
Por, shqetësime nuk duhet të ketë për çështjen e dinarit, sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se nuk është hera e parë që BE e SHBA shprehin shqetësime, por që duhet respektuar ligjet e Kosovës dhe duhet vendosur sovranitet.
“Shqetësimet e BE-së dhe SHBA-ve për dinarin nuk janë shqetësimet e para por ka pasur shqetësime edhe për çështjen e zgjedhjeve serbe, andaj ne si shtet sovran duhet respektuar ligjet e Kosovës dhe duhet njëherë e përgjithmonë ta vendosim sovranitetin edhe në aspektin monetar sepse 20 për qind e territorit ka funksionuar me vlera monetare të Serbisë”, shprehet ai.
Sipas Bajqinovcit, vendimi për dinarin do të respektohet sikur targat e dokumentet zyrtare të Kosovës.
“Nuk ka nevojë as për shqetësim, as për asgjë tjetër, do të respektohet edhe ky vendim ashtu siç po respektohen targat, dokumentet zyrtare të Kosovës, siç janë pasaportat dhe letërnjoftimet”, thekson deputeti i VV-së për Gazeta Blic.
Ai hedh poshtë mundësinë që të ketë tensione nga serbët në veri për shkak të dinarit, teksa beson se gjithçka do të shkojë me rregull.
“Tash e tutje brenda një kohe shumë të shkurtër duhet të jetë një lloj tranzicioni dhe më mos të paguhet me dinar të Serbisë. Nuk besoj se duhet të ketë shqetësime, besoj se kjo do të shkojë në mënyrë të rregullt dhe të mirë për shtetin e Kosovës, andaj sovraniteti është edhe kjo pjesë, sidomos kur bëhet pagesa me euro, jo më me dinar. BE dhe SHBA kanë shprehur shqetësime të shpeshta kur ka pasur vendime rreth sovranitetit, p.sh zgjedhjet që të lejohen në Kosovë, por ja që ka shkuar siç duhet dhe më nuk lejohet asgjë serbe në Kosovë”, vlerëson ai.
Ndërsa, lidhur me deklaratat nga Serbia se çështja e dinarit duhet të diskutohet në dialog, Bajqinovci është kundër një gjëje të tillë, sepse këto thotë se janë çështje të sovranitetit dhe s’ka pse të bëhen bisedime.
“Nuk duhet të diskutohet në dialog. E ka thënë edhe kryeministri Kurti, s’duhet të jetë pesë e diskutimeve, këto janë çështje të sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe s’ka nevojë të bëhen biseda për dinar, ashtu sikurse për targa, dokumente e shumë gjëra tjera”, deklaron deputeti Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/
Hovenier: ShBA-ja druhet për tensione të reja në veri për shkak të ndalimit të dinarit


