Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, vlerëson se vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më shpejt, aq më mirë.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic thotë se PDK vlerëson se zgjedhjet duhet të mbahen për të parandaluar deformimin në shumë sfera në vend.
“Po. E ka thënë kryetari Krasniqi më herët, është vendim edhe i strukturave më të larta të PDK-së, se për të mirën e Kosovës është që ne të shkojmë në zgjedhje, me patjetër, sa më shpejt, aq më mirë, nëse Kosova shkon në zgjedhje parlamentare, takimet që i kemi si PDK, si kryesi, takimet e kryetarit Krasniqit, e detektojnë nevojën se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje sa më shpejt, për të ndaluar atë që po deformohet në shumë sfera, dhe për të dhënë mundësi për të hapur mundësi të reja, progresive nuk po i shohim tani për tani”, thotë ai.
Lidhur me atë se a mund të shkojë vendi në zgjedhje nga kryeministri Kurti, si arsyetim për të mos e themeluar Asociacionin, Abdullahu nuk e përjashton një gjë të tillë.
Sipas tij, qeveria Kurti shquhet për fjalamani dhe jo punë e rezultate, teksa shton se Asociacioni është deformuar nga Qeveria dhe është hequr njohja në qendër.
“Mund të priten dhe gjëra të tilla për t’i bishtnuar përgjegjësisë, ngase kjo qeveri shquhet për fjalamani, jo me punë konkrete, jo me rezultate, prandaj nuk është jashtë mendsh se mund të bëhet edhe diçka e tillë. Çështja e dialogut, e Asociacionit si segment i dialogut është shumë i brishtë, kjo qeveri e ka deformuar, mund të përmendin Asociacionin për të parë se risitë regresive që janë inkorporuar janë të dëmshme për Kosovën. Si PDK ne mendojmë se oferta, draft statuti është i dëmshëm për Kosovën, e kemi thënë në mënyrë të përsëritur se është larguar nga Asociacioni kjo ofertë, njohja, nuk ka qenë më parë kështu. Është kjo qeveri që e ka konvertuar e ka degraduar deri te normalizimi i marrëdhënieve. Pretendohet të normalizohen raportet tona me Serbinë, që i bie se futja e njohjes në qendër e bën jo normale njohjen”, shprehet ai për Gazeta Blic.
Ai përmend deklaratat e Kurtit se është i gatshëm ta nënshkruajë Asociacionin por nuk do Serbia, derisa thotë se të kundërtën e thonë kolege të tij partiake, e që gjithë këtë e bëjnë që kur ta pranojnë të mos ketë rezistencë të madhe.
“Kjo qeveri për më keq duket se mënyrë të organizuar herë thotë po e nënshkruaj, sikur ka thënë kryeministri, por Serbia nuk e nënshkruan. Ndonjë kolege e tij e afërt thotë jo nuk po e pranojmë Asociacionin dhe çojnë mesazhe konfuze qëllimshëm, që në një të ardhme të afërt ta pranojnë më kollaj, sepse nuk duan që të ketë rezistencë më të madhe, prandaj me këtë konfuzitet e amortizojnë të keqen e cila do të determinohet nëse kuptohet saktë ajo çfarë po thotë PDK, se nuk do të duhej të pranohej sepse njohja nuk është pjesë e kësaj tërësie”, potencon zëdhënësi i PDK-së./Gazeta Blic/


