Lajme

“PDK e Lista Serbe i njëjti brum”/ Abdullahu për deklaratën e Sallahut: E neveritshme – furraxhi që po i djeg gjërat vazhdimisht

01/25/2024 10:16
nga:G B

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se PDK dhe Lista Serbe janë “i njëjti brum”.

Këtë krahasim e ka bërë derisa ka folur për votimin e Vettingut.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, i cili në një intervistë për Gazeta Blic, e quajti të neveritshëm një krahasim të tillë, derisa tha se Sallahu derisa ka folur për vajin e tepsinë, e tani dhe për brumin, është një furraxhi që po i djeg gjërat vazhdimisht.

“Është e neveritshme, papërgjegjësi totale një krahasim i kësaj natyre, por ata që nuk shquhen në punë, shquhen mandej me fjalamani, e aq më pak me fjalë që janë edhe të neveritshme edhe të ulëta. Zv ministri që bën një krahasim të tillë, më herët ka folur për vaj, për tepsi, tash thotë i njëjti brum, nuk e di çfarë furraxhie është por gjërat po i djeg vazhdimisht dhe kjo nuk është mirë për demokracinë në Kosovë”, thotë ai.

Duke folur për financimin e Listës Serbe nga KQZ me 360 mijë euro, ai thotë se vendimet i mbesin Qeverisë, por që duhet pasur parasysh që të mos përfshihet aty ku nuk e ka vendin.

“Duhet t’i shohim të gjitha anët, krejt këtë spektër, për të ardhur te një vlerësim. E mira është që për sa shkohet për demokratizim në Kosovë, gjërat duhet të shkohet dhe të thuhet po bën apo nuk bën, por vendimet e tilla i mbesin qeverisë dhe ajo e thotë fjalën e fundit por duke pasur parasysh që të mos involvohet atje ku nuk e ka vendin, siç e bën vazhdimisht, sidomos nuk e ka parasysh ndarjen e pushteteve dhe involvimin e bën duke u nisur nga një botëkuptim i tij moral”, vlerëson Abdullahu për Gazeta Blic.

Zëdhënësi i PDK-së ka folur edhe për shkarkimin e kryetarëve në veri përmes peticionit.

Ai thotë se është proces që duket se do të zgjasë pa sjellë diçka konkrete dhe për këtë ai fajëson Qeverinë.

“Është proces që po zgjat dhe duket se do të zgjasë edhe më tutje, pa sjellë diçka konkrete. Është faji i qeverisë. Kemi ardhur në këtë situatë sepse hapat që i ka ndërmarrë kjo qeveri në veri dhe jo vetëm, detyrimisht determinojnë një rrethanë të kësaj natyre ku është shumë e vështirë të koordinohet kjo qeveri me SHBA-të, BE-në por edhe me qytetarët në atë pjesë të Kosovës. Është punë tjetër nëse ju kujtohet se çfarë ka thënë kjo mendësi qeverisëse sot, dje opozitare, për raportin me serbët, pra do të ketë dialog me serbët vendas, kjo është shumë larg asaj”, shton ai.

Mirëpo, Abdullahu thotë se ne nuk duhet të jemi palë që kontribuojmë në përkeqësim të situatës, por që i takon Qeverisë që t’i ndërmarrë masat që i takojnë.

“Por, përkundër kësaj, ne jemi të interesuar dhe kemi qenë vazhdimisht që të mos vështirësojmë situatën dhe kur po e them këtë, mos të jemi ne ata që kontribuojmë në çfarëdo përkeqësimi, ne jemi që qeveria të ndërmerr masa që duhet t’i ndërmerr, asaj i takojnë që të ndërmerr në veri, që të krijohen rrethanat optimale që të gjithë qytetarët e Kosovës të dalin në zgjedhje pa pengesa, të bëjnë fushatë pa pengesa dhe të dalin rezultatet ashtu siç na ka hije. Kjo duket në një perspektivë e vështirë, por i mbetet qeverisë ta bëjë një gjë të tillë”, deklaron Faton Abdullahu./Gazeta Blic/

 

Sallahu e krahason PDK-në me Listën Serbe: Janë një brum