Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahmi, dje në një prononcim për Gazeta Blic, tha se rreth 22.6% e buxhetit total të Republikës së Kosovës, do të ndahet për komunat e vendit. Sipas tij, kjo nuk është ndonjë rritje enorme në krahasim me vitet e kaluara.
“Në bazë të shënimeve që i kemi si Asociacion, dhe këto shënime janë zyrtare, vetëm rreth 22.6% të buxhetit total të Republikës së Kosovës, do të ndahet për komunat e Republikës së Kosovës. Në krahasim me vitet e kaluara, p.sh në vitin 2021 kjo përqindje ka qenë 22.1%. Pra, kjo nuk mund të konsiderohet ndonjë rritje enorme në krahasim me vitet e kaluara”, tha Ibrahimi për Gazeta Blic.
Pas kësaj deklarate ka reaguar ministri Elbert Krasniqi, i cili përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar nga Ibrahimi që t’i tregojë se gjatë cilës qeveri të LDK-së komunat kanë qenë më të kënaqura me ndarjet buxhetore.
Postimi i tij i plotë:
Meqë buxheti i komunave sivjet ishte 100 milionë më shumë se në vitin 2021 (Qeveria Hoti), e në vitin tjetër do të jetë gati 200 milionë më shumë se po ai vit, ndërkohë që Granti i përgjithshëm për komuna është më i larti ndonjëherë, atëherë po e ftoj Sazanin që të na tregoj se gjatës cilës qeveri (të LDK-së), sipas tij kanë qenë komunat më të kënaqura me ndarjet buxhetore.


