Lajme

Ibrahimi: Komunat nuk janë të kënaqura me ndarje të buxhetit, në vitin e ardhshëm 22 komuna do të kenë më pak mjete financiare për investime kapitale

11/21/2023 19:58
nga:Sh R

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahmi, në një prononcim për Gazeta Blic, tha se rreth 22.6% e buxhetit total të Republikës së Kosovës, do të ndahet për komunat e vendit. Sipas tij, kjo nuk është ndonjë rritje enorme në krahasim me vitet e kaluara.

“Në bazë të shënimeve që i kemi si Asociacion, dhe këto shënime janë zyrtare, vetëm rreth 22.6% të buxhetit total të Republikës së Kosovës, do të ndahet për komunat e Republikës së Kosovës. Në krahasim me vitet e kaluara, p.sh në vitin 2021 kjo përqindje ka qenë 22.1%. Pra, kjo nuk mund të konsiderohet ndonjë rritje enorme në krahasim me vitet e kaluara”, tha Ibrahimi për Gazeta Blic.

Ai thotë se kjo rritje është bërë më shumë për zbatimin e ligjit të pagave në nivel komunal. Granti i përgjithshëm ku përfshihen edhe pagat është me ligj e rregulluar dhe se me automatizëm 10% e buxhetit të vendit ndahet për komunat ku në atë pjesë hyjnë edhe pagat.

“Edhe kjo rritje e buxhetit që është bërë, është bërë më shumë për pagat e zyrtarëve komunal që do të ketë ndikim e që kjo rrjedhë si pasojë e zbatimit të ligjit të ri për paga dhe që kjo do të ketë implikime në ngritje të buxhetit për komuna”, shtoi ai.

Ibrahimi thotë se komunat nuk janë të kënaqura me ndarjen e buxhetit, pasi që nuk është ndonjë përqindje e lartë në krahasim me vitet e kaluara, atje ku thotë se kryetarët e komunave po kërkojnë themelimin e grantit të katër.

“Komunat nuk janë të kënaqura me këtë ndarje të buxhetit pasi që nuk është ndonjë përqindje jashtëzakonisht e lartë në krahasim me vitet e kaluara. Problemi kryesor është se kryetarët e komunave po kërkojnë që të themelohet granti i 4 sepse shumica apsolute e kryetarëve aludojnë që ndarjet buxhetore për investime kapitale që vijnë nga ministritë e linjës nuk po ndahen bazuar në kritere objektive”, tha ai.

Tutje thotë se në vitin e ardhshëm 22 komuna do të kenë më pak mjete financiare për investime kapitale për projekte të reja në infrastrukturë, ku thotë se kryetarët e komunave nuk janë të kënaqur me ndarjet buxhetore sidomos ato që vijnë për investimet kapitale.

“Gjithashtu vitin e ardhshëm 22 komuna do të kenë më pak mjete financiare për investime kapitale për projekte të reja. Deçani do të ketë mbi 650 mijë euro më pak për projekte kapitale të reja, komuna e Ferizajit do të ketë mbi 770 mijë euro më pak, komuna e Vitisë mbi 450 mijë euro më pak, në përgjithësi kryetarët e komunave nuk janë të kënaqur me ndarjet buxhetore sidomos ato që vijnë për investimet kapitale”, tha Ibrahimi për Gazeta Blic.