Lajme

Zgjedhjet në Serbi| Jabllanoviq ‘shpërthen’: Albin Kurti është anomali aktuale, po i duket vetja faktor, s’merr asnjë vendim të mençur

11/30/2023 16:25
nga:G C

Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq ka shpërthyer në kritika ndaj kryeministrit Kurti, shkak zgjedhjet në Serbi të 17 dhjetorit.

Jabllanoviq në një prononcim për GazetaBlic thekson se kryeministri Kurti nuk merr asnjë vendim të mençur, pasi sipas tij, ai nuk po e sheh situatën reale se si është me serbët e veriut.

“Mendoj se kryeministri Kurti thjesht nuk është në gjendje ta shohë situatën reale dhe nuk merr vendime afatgjata të mençura dhe racionale. Serbët me siguri do të përdorin të drejtën e tyre për të votuar si të gjithë qytetarët e Serbisë me më pak ngacmime (duke shkuar deri në 40-50-60 km në Serbinë qendrore)|, thotë Jabllanoviq.

Tutje, Jabllanoviq e quan Kurtin si anomali aktuale që perëndimi është duke e toleruar me veprimet e tij.

“Albin Kurti thjesht po përpiqet të prezantohet si faktor i rëndësishëm, por definitivisht nuk është. Nëse Kurti do t’i kishte kuptuar mesazhet e BE-së dhe serbëve, ato zgjedhje do të mbaheshin pa shumë zhurmë dhe pa probleme, që ka qenë praktikë më parë dhe sigurisht që do të jetë edhe në të ardhmen, pasi Kurti është vetëm një anomali aktuale që perëndimi ende e toleron”, thotë ai.

“Ftoj Albin Kurtin dhe kryesinë e VV-së që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore si qytetarë të Republikës së Serbisë dhe të votojnë së bashku me ne serbët më 17.12.2023 në Vranjë, Kurshumli apo Rashkë dhe në këtë mënyrë të mbështesin njërën nga partitë shqiptare nga jugu i Serbisë. Inati i përdorur nga zyrtarët e VV-së është vetëm populizmi më i lirë, i cili megjithatë ka një çmim të lartë. Dhe zgjedhjet do të kalojnë rregullisht dhe serbët patjetër do të votojnë në to në një numër shumë më të madh se ai ku shkuan në Kosovë më 23 prill 2023”, përfundon Jabllanoviq për GazetaBlic.

Ndërsa, Bashkimi Evropian është deklaruar në lidhje me mosmbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë. Zëdhënësi Peter Stano, ka thënë se BE rekomandon që të vazhdohet praktika e vendosur për lejimin e serbëve të Kosovës që të votojnë në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që pritet të mbahen më 17 dhjetor.

Stano ka thënë për Tanjug se kjo nuk është në frymën e dialogut dhe parimet e mbrojtjes së të drejtave të komuniteeve joshumicë dhe ndërtimin e mirëbesimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, BE mbështet të gjitha përpjekjet që synojnë t’u mundësojë serbëve të Kosovës të marrin pjesë në proceset demokratike.

“BE rekomandon vazhdimin e praktikës së vendosur për lejimin e serbëve të Kosovës të votojnë në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare serbe më 17 dhjetor, me lehtësimin e OSBE-së. Ne presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord për modalitetet që do ta lejojnë këtë të ndodhë, në mirëbesim dhe frymë kompromisi. BE-ja mbështet të gjitha përpjekjet që synojnë t’u mundësojë serbëve të Kosovës të marrin pjesë në proceset demokratike. Si e tillë, është thelbësore që votuesit serbë që banojnë në Kosovë të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore dhe të hedhin votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha ai për Tanjug.

Kujtojmë se, për të lejuar organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, kryeministri Kurti ka kërkuar marrëveshje ndër- shtetërore, që sipas tij, duhet të bëhet me kërkesë të Serbisë.

Një kërkesë të tillë nuk e ka bërë Serbia, të cilët e kanë njoftuar Komisionin Zgjedhor që zgjedhjet nuk do të mbahen edhe në Kosovë.

/GazetaBlic/