Besnik Mustafa, djali i ish kryeministrit Isa Mustafa, ka reaguar pas videos së VV-së se ata kanë terminal doganor, raporton gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se sot si djem të Isa Mustafës u akuzuan dhe shantazhuan nga mediat e VV-së për terminal doganor, derisa ka thënë se kompania “Intereuropa” me veprimtari themelore depo doganore publike, transport dhe shpedicion është kompani Sllovene me seli në Koper të Sllovenisë, mirëpo ai ka thënë se këtë pushteti po e bën për shkak të Byrosë për konfiskim të pasurisë.
Ai ka thënë se atë kompani mund ta mbyllin por që do të kenë punë me shtetin slloven dhe jo familjen Mustafa, duke shtuar se kompania nuk është as e LDK-së, që i frikësohen aq shumë.
Mustafa ka thënë se për gjëra të tilla si shantazhim, tentim frikësimi, edhe bartësit e pushtetit japin llogari para ligjit.
Postimi i tij i plotë:
Sot, si djem të Isa Mustafës, u akuzuam dhe u shantazhuam nga mediat e VV-së, -parti në pushtet për Terminal Doganor. Kompania “Intereuropa” me veprimtari themelore depo doganore publike, transport dhe shpedicion është kompani Sllovene me seli në Koper të Sllovenis. Por pushteti, për nevoja të propagandës, kompaninë Sllovene dhe terminalin e saj e bënë të familjes tonë. E gjithë kjo për të shantazhuar dhe kërcënuar në emër të Byros së tyre politike për konfiskim. E unë u them, urdhëroni dhe konfiskone ose mbylleni këtë kompani por do të keni punë me Shtetin Slloven e jo me familjen Mustafa, sepse nuk është e familjes sonë, por para se ta bëni bisedoni me shtetin Slloven. Nuk është as e LDK-së, prej së cilës frikësoheni aq shumë.
Jeni në pushtet, i keni të gjitha mundësitë për të sqaruar pronësitë e kompanive, themeluesit e tyre dhe fitimet që ato i realizojnë edhe në rastin e terminalit që na e mveshni neve, që në fakt është gënjeshtër e konstruktuar, si për pronësinë ashtu edhe për fitimet. Për gjera të tilla, shantazhim, tentime frikësimi konstruksione të rrejshme edhe bartësit e pushtetit japin llogari para ligjit.


