Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, pas takimit të sotëm me Ndihmës Sekretaren amerikane të shtetit Evropë dhe Azin, Karen Donfried, deklaroi se bashkëbiseduesit u pajtuan se çështjet e hapura në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të zgjidhen nën mbikëqyrjen e BE-së për të arritur një zgjidhje kompromisi, kanë raportuar mediat serbe, përcjellë GazetaBlic.
“Pala jonë i ka përmbushur obligimet e veta, ndërsa Prishtina me këmbëngulje po i shmanget përmbushjes së obligimeve të saj. Nëntë vjet pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit dhe Planit të Zbatimit, themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe ende nuk është inicuar”, tha Vuçiq, duke theksuar se “Beogradi mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj dialogut, pasi beson se kjo është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme”.
Ai ka biseduar me Donfrid edhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, integrimin evropian të Serbisë, si dhe për çështje të tjera aktuale gjeopolitike. Temë ishte edhe qëndrimi i Serbisë ndaj situatës në Ukrainë, por edhe diversifikimi i burimeve të energjisë në Serbi dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Duke folur për bashkëpunimin rajonal, Vuçiq theksoi se “për Serbinë është me interes kyç ruajtja e stabilitetit në rajon dhe se në këtë kuptim përmirësimi i bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë”.
Ai vuri veçanërisht në dukje nismën “Ballkani i Hapur” si shembull i bashkëpunimit të suksesshëm rajonal dhe luftës për qëllime të përbashkëta, duke theksuar se kjo është mënyra më e mirë për të përgatitur shtetet e rajonit për anëtarësim në BE, por edhe një mundësi për të arritur standardet evropiane përpara se të anëtarësohen.
Vuçiq përshëndeti praninë e kompanive të shumta dhe të rëndësishme amerikane që operojnë me sukses në Serbi dhe shtoi se ekziston një potencial i madh që duhet shfrytëzuar, veçanërisht duke pasur parasysh kushtet e shkëlqyera që Serbia mund t’u ofrojë investitorëve potencialë.
Donfried theksoi se Shtetet e Bashkuara angazhohen fuqishëm që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe përsëriti se ky është një nga prioritetet e politikës së jashtme amerikane ndaj rajonit.
Duke përshëndetur nismën “Ballkani i Hapur” dhe synimin e Serbisë për të vënë çështjet ekonomike në fokus të bashkëpunimit rajonal, ajo theksoi se kjo nismë paraqet një mundësi për të promovuar më tej potencialin investues të rajonit.


