Lajme

Vrau ish-partneren në sy të vajzës në SHBA, shqiptari Renato Muhaj para gjykatës kërkon avokat mbrojtës

01/31/2024 22:07
nga:G B

Shqiptari 34-vjeçar, Renato Muhaj, është paraqitur në një gjykatë amerikane, i akuzuar për një sërë krimesh, duke përfshirë akuzën më tronditëse për vrasjen e ish-partneres së tij, Suela Saliaj.

Prokurorët në Largo, Florida, kanë bërë të ditur se veprat penale të Muhajt ndodhën në një periudhë të shkurtër kohe dhe situata ka eskaluar shpejt.

Gjykatësi ia ka përshkruar me hollësi akuzat që e rëndojnë dhe ka përcaktuar një garanci pasurore prej 50,000 dollarësh.

Megjithatë, i është bërë e qartë se kjo garanci nuk mund të përdoret për shkak të natyrës së rëndë të akuzës për vrasje të shkallës së parë.

Gjatë proceseve gjyqësore, gjykatësi e ka konfirmuar në mënyrë të prerë se Muhaj nuk do të ketë të drejtën të takojë vajzën e tij nëse në të ardhmen ai do të lirohet nga burgu.

Ndërkohë, 34-vjeçari ka ruajtur një qëndrim të ftohtë dhe të pa emocione gjatë seancës, duke bërë vetëm një pyetje: “A do të caktoni një avokat për mua?”.

Përgjigjja e gjykatësit ishte afirmative, ndërsa iu tregua se mbrojtësi i tij ligjor ishte prezent në sallën e gjyqit.