Lajme

Vrasja e gruas në Prishtinë/ Kërkohet reagim urgjent, Zemaj kritika ndaj Qeverisë – Kurti nuk deklarohet

11/30/2023 15:00
nga:G B

Deputetët e VV-së dhe LDK-së kanë shprehur shqetësimet e tyre për rastet e vrasjeve që kanë ndodhur së fundi në vend, sidomos ai i të mërkurës mbrëma, ku ndodhi një plaçkitja e një familje gjatë lëvizjes me veturë në rrugë në kryeqytet dhe më pas u vra gruaja që gjendej në veturë bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, duke folur për Gazeta Blic për këtë çështje, për sigurinë në vend drejton gishtin nga Qeveria.

“Është evidente kur krijohet perceptimi që shteti është jonfunksional ose siguria proklamohet e brishtë dhe fokusi nuk është në sigurinë e brendshme po me këtë demagogji që e ka përdorur qeveria në sigurinë e jashtme, edhe pse ka mekanizma të tjerë, siç është NATO, KFOR-i, dhe të tjerë që ndihmojnë dhe përkujdesen për Kosovën, grupe të frustruara, individë të caktuar, nga situata ekonomike por edhe nga situata e rënduar kohëve të fundit janë rritur rastet e kriminalitetit, kjo është tepër shqetësuese”, thotë ai.

Sipas tij, si arsye është paaftësia e Qeverisë për të mbështetur Policinë e Kosovës.

“Paaftësia për të menaxhuar apo mbështetur Policinë e Kosovës që ata të jenë më vigjilentë dhe më intervenues ndaj rasteve të rënda kriminale. Kemi rastin në Suharekë, ku në pikë të ditës, në një qytezë të vogël dhe rastet e natës së mbrëmshme që janë tepër shqetësuese, që janë indikacion se duhet të rritet vigjilenca e sigurisë, masat e sigurisë, por duhet të ketë edhe përkrahje për institucionet e sigurisë”, vlerëson Zemaj.

Deputeti i LDK-së thotë se duhet të veprohet por qeveria ka hequr dorë nga përkrahja dhe luan me ndjenjat e policëve dhe sektorëve tjerë të sigurisë.

“Sigurisht që duhet të veprohet por kur kemi një qeveri e cila ka hequr dorë kushtimisht nga përkrahja dhe luan me ndjenjat edhe të policëve por edhe të sektorëve të tjerë të sigurisë, atëherë brishtësia vetëm sa rritet dhe krijohet hapësirë për grupet kriminale”, deklaron Armend Zemaj për Gazeta Blic.

Ndërsa, deputeti i VV-së, Visar Korenica, situatën e sheh tejet shqetësuese, teksa kërkon nga policia e prokuroria që t’i dërgojnë prapa grilave kryesit e këtyre krimeve.

“Shumë shqetësuese. Çdo lajm i tillë kushdo prej nesh që e marrim vesh është i hidhur. Uroj të mos kemi kësi lloj raste. Shpresoj që të kapen sa më parë ata që e kanë bërë këtë krim dhe i bëj ftesë policisë dhe prokurorisë që njerëzit që bëjnë këto veprime të përfundojnë prapa grilave. Ju shpreh ngushëllime familjeve që e kanë humbur më të dashurën e tyre”, shprehet ai për Gazeta Blic.

Ai flet edhe lidhur me arsyet se pse po ndodhin raste të tilla.

“Nuk janë në profesion të psikologut për të dhënë shpjegime profesionale por janë nga natyra të ndryshme, por unë refuzoj të deklarohem në kuptimin mediatik që të përflitet shumë për vetëvrasje, sepse nuk i kontribuon shumë situatës por rasti i djeshëm sa i përket plaçkitjes, këtu duhet të reagojnë sa më parë organet e rendit dhe njerëzit e tillë të përfundojnë sa më parë prapa grilave dhe uroj që askujt të mos i ndodhë kjo”, potencon deputeti i VV-së.

Edhe deputeti tjetër i VV-së, Eman Rrahmani, e sheh tejet shqetësuese situatën, teksa vlerëson se institucionet e sigurisë duhet të veprojnë urgjentisht.

Ai thotë për Gazeta Blic se situata është alarmante dhe e papranueshme.

“Është shqetësuese ajo që është duke ndodhur në vendin tonë dhe besoj që të gjitha institucionet e sigurisë duhet të jenë më të vëmendshme dhe të marrin hapa urgjentisht që siguria e vendit të jetë shumë më nivel, për shkak që vetëm këtë periudhën e fundit kemi pasur raste me vrasje, me aksione tjera që i kemi parë bashkërisht dhe besoj që ka filluar të bëhet një dukuri që po sjell dhe vdekje dhe besoj që është gjendje alarmante, kështu që besoj se institucionet e sigurisë duhet të merren, d.m.th kjo është punë profesionale e atyre që merren me sigurinë por ajo që është duke ndodhur është e papranueshme dhe duhet të ketë reagim të menjëhershëm të institucioneve duke vlerësuar se ku janë pengesat ose arsyet që jemi në këtë situatë”, deklaron deputeti Rrahmani.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa erdhi në seancën e Kuvendit, nuk u deklarua për media për këtë çështje, megjithëse iu kërkua një deklarim lidhur me këtë./Gazeta Blic/