Lajme

Veliu e Abdixhiku s’i kalojnë inatet e vjetra- “Luftë e ashpër” brenda LDK-së?

03/19/2023 20:36
nga:Genita C

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar 33 vjetorin e themelimit të degës në Podujevë. Komunë kjo që dikur ishte bastion i LDK’së sa ishte nën udhëheqjen e Agim Veliut si kryetar dege, raporton GazetaBlic.

Agim Veliu duket se ende nuk e ka tejkaluar inatin me Lumir Abdixhikun, i cili e kishte shkarkuar nga posti i kryetarit të LDK-së në Podujevë. Deputet Veliu e ka shmangur Abdixhikun gati tërësisht nga fotografitë e 33 vjetorit të themelimit të LDK-së në Podujevë.

Madje, edhe në shkrimin e tij në “Facebook” emri i Lumir Abdixhikut nuk shfaqet askund.

Ndërsa, Lumir Abdixhiku për të mos rënë shumë në sy, ka postuar 37 fotografi ku vetëm në dy nga këto shihet ish-kryetari i degës dhe ish- ministri i brendshëm, Agim Veliu.

Krahas Veliut, pakënaqësi të mëdha për Lumir Abdixhiku jo rrallë herë ka shprehur edhe Skender Hyseni i cili akuzoi Abdixhiku si anëtar të VV-së brenda LDK-së.

Hyseni para pak dite ka kritikuar qasjen e të parit të LDK-së sa i përket planit evropian, ndërsa shtoi se është 100 herë më LDK sesa vet kryetari i saj.

“Unë e kam dëgjuar Lumirin e kam dëgjua dhe shumë të tjerë anëtarë të kryesisë së LDK-së. Unë nuk pajtohem me këtë qasje, unë jam më LDK-së se Lumir Abdixhiku 100 herë”, tha ai.

E pakënaqur nga “shefi” i saj ishte edhe Shqipe Mjekqi, e cila ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ajo ka thënë se një gjë të tillë e ka bërë me 14 mars dhe shkak për të sipas Mjekqit është hapësira e pamjaftueshme.

“Fatkeqësisht, hapsira për të kontribuar ishte e pamjaftueshme ndërkaq, përgjegjësitë dhe kompetencat ishin të kufizuara në raport me pozicionin që kisha. Për më tepër, përpjekjet për të ndryshuar këtë nuk patën sukses.Vazhdoj të mbetem me gjithë qenien time në themelet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.”, ka shkruar Mjekiqi Sadiku në Facebook ku nuk ka përmendur askund Abdixhikun.

/GazetaBlic/

Mjekiqi reagon për herë të parë: Tregon arsyet pse dha dorëheqje nga LDK-ja