Lajme

Sindikata dënon ashpër sulmin ndaj oficerit doganor në Podujevë

11/25/2026 10:17
nga:L J

Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës (SPDK) ka dënuar sulmin e raportuar ndaj oficerve doganor, të martën, më 24 nëntor, në qytetin e Podujevës.

Sipas informacioneve të deritanishme, incidenti ka ndodhur gjatë një kontrolli doganor të një automjeti në kuadër të një rasti me dyshime për kontrabandë me telefona celularë. Dyshohet se drejtuesi i automjetit, pasi iu dha urdhri për të ndaluar për kontroll, e goditi me automjet oficerin doganor, duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Jemi të lehtësuar që kolegët tanë kanë shpëtuar nga një incident që mund të kishte pasoja shumë më të rënda. Kolegve të lënduar i urojmë shërim të shpejtë dhe i shprehim solidaritetin tonë të plotë. U bëjmë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që të hetojnë me urgjencë rrethanat e rastit dhe të ndërmarrin veprimet që parashikon ligji” – thuhet në njoftimin e Sindikatës.

Ata thanë se oficerët doganorë punojnë çdo ditë me profesionalizëm dhe përkushtim në terren, në pikëkalimet kufitare dhe në terminale. Me punën e tyre parandalojnë kontrabandën, mbrojnë të hyrat publike dhe kontribuojnë në sigurinë e qytetarëve. Gjatë ndalimit të automjeteve dhe kontrolleve në terren, ata përballen drejtpërdrejt me rreziqe fizike që e dallojnë punën operative doganore nga puna administrative. Ky dallim duhet të pasqyrohet në mbrojtjen dhe kompensimin e tyre.

SPDK ka ritheksuar se që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik në vitin 2023, oficerët doganorë nuk kanë marrë shtesë të veçantë për rrezikshmëri.

“Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që pa vonesë: Të sigurojë pagesën e shtesës për rrezikshmëri në përputhje me ekspozimin gjatë detyrave operative doganore. Të sigurojë mbulim shëndetësor dhe sigurim për lëndimet në detyrë dhe invaliditetin, duke përfshirë trajtimin, rehabilitimin dhe kompensimin në rast të humbjes së aftësisë për punë. Të forcojë masat e sigurisë gjatë kontrolleve doganore në terren, në pikëkalimet kufitare dhe në terminale, në bashkëpunim me Doganën dhe Policinë e Kosovës. Oficerët doganorë që zbatojnë ligjin dhe mbrojnë interesin publik meritojnë mbrojtje në detyrë, mbështetje kur lëndohen dhe kompensim që pasqyron rrezikun e punës së tyre”.