Lajme

“Vazhdimi i mandatit të Lajçakut lajm jo i mirë, s’ka pasur hajër në dialog – Asociacioni s’mund të nxirret nga marrëveshja pa njohje”

07/10/2024 12:26
nga:G B

Asociacioni s’mund të nxirret si i veçantë nga marrëveshja, por ajo duhet të plotësohet në plotëni.

Kështu ka deklaruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një intervistë për Gazeta Blic.

Ai thotë Asociacioni s’mund të bëhet pa nënshkrim të marrëveshjes dhe pa njohje de facto nga Serbia.

“Ky presion nga Borrell e Lajçak është moti. Unë mendoj që së pari duhet të nënshkruhet marrëveshja dhe të zbatohet në plotëni e jo të nxirret vetëm neni i caktuar që ka të bëjë me Asociacionin. Ju po e shihni që Serbia po tenton ta bosnjëzojë Kosovën me çdo kusht me sulmet që i ka pasur për ta ndarë Kosovën, e deri te strukturat paralele që kanë funksionuar në veri. Andaj unë mendoj që kjo nuk do të ndodhë, sepse pa marrë parasysh se çfarë Asociacioni, pa u nënshkruar marrëveshja ku Serbia de facto e pranon marrëveshjen dhe pikat të cilat janë, mendoj se Asociacioni nuk nxirret dhe s’mund të bëhet asgjë prej kësaj pune, sepse ne e dimë që Serbia me dhjetëra marrëveshje nuk i ka zbatuar, edhe në kohën e Isa Mustafës, të cilat kanë qenë ndoshta të mira për vendin tonë”, shprehet ai.

Ai e quan lajm jo të mirë vazhdimin e mandatit të Lajçakut në dialog, derisa thotë se s’ka pasur ndonjë të mirë prej tij.

“Jo lajm i mirë sepse Lajçaku nuk ka pasur ndonjë hajër deri më sot dhe nuk është bërë asgjë në dialog, duke e ditur se marrëveshjen e Brukselit kanë qenë të njëanshëm, duke dashur që ta nxjerrin Asociacionin në veçanti, pa bërë presion ndaj Serbisë për ta zbatuar në plotëni marrëveshjen. Andaj si deputet them se nuk është lajm i mirë vazhdimi i mandatit të Lajçakut për një kohë të shkurtër sepse nuk ka pasur sukses që një marrëveshje që e ka bërë vet Brukseli t’i bëjë palët që ta nënshkruajnë”, deklaron deputeti Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/