Lajme

Ukraina thotë se komunikata e Samitit të Paqes merr në konsideratë qëndrimet e Kievit

06/16/2024 14:55
nga:G C

Pozicionet e Kievit janë marrë në konsideratë në komunikatën përfundimtare për një samit të liderëve botërorë të mbledhur për të ndjekur paqen në luftën e Ukrainës me Rusinë, tha të dielën Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.

Më shumë se 90 vende morën pjesë në ngjarjen dyditore në resortin Buergenstock në Zvicrën qendrore që synonte të bashkonte opinionin global se si t’i jepet fund pushtimit 27-mujor të Moskës.

“Teksti është i balancuar, të gjitha pozicionet tona parimore mbi të cilat Ukraina kishte këmbëngulur janë marrë parasysh”, u tha ai gazetarëve. Komunikata përfundimtare nga samiti ende nuk është publikuar zyrtarisht, raporton Reuters.

Kuleba la të kuptohet gjithashtu se Rusia mund të përfshihet në një samit të ardhshëm, por hodhi poshtë kërkesën e presidentit rus Vladimir Putin të premten që Kievi të dorëzojë katër rajone të Ukrainës që Rusia ka pushtuar dhe të heqë synimin e saj për t’u bashkuar me NATO-n.

“Sigurisht që ne… e kuptojmë në mënyrë të përsosur se do të vijë një kohë kur do të jetë e nevojshme të bisedojmë me Rusinë,” tha ai. “Por pozicioni ynë është shumë i qartë: ne nuk do të lejojmë Rusinë të flasë me gjuhën e ultimatumeve siç po flet tani”.

Kuleba shtoi se asnjë plan alternativ paqeje nuk ishte diskutuar në samit.