Avokati serb, Nebojsha Vlajiq ka konfirmuar se Millun Millenkoviq , i cili u arrestua sot nga Policia e Kosovës në Mitrovicën Veriore, është ndaluar për 48 orë.
Vlajiq thekson se gjatë kësaj periudhe, Millenkoviq duhet të sillet para një gjyqtari për të vendosur për paraburgimin.
“Mund të jetë nesër, mund të jetë pasnesër deri në mesditë”, thotë Vlajiq për KO dhe shton se Millenkoviq akuzohet – ndër të tjera – për terrorizëm e prishje të rendit kushtetues.
Millun Millenkoviq u arrestua pasditen e 13 qershorit nën dyshimet se ka organizuar sulme kundër ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Millenkoviq është udhëheqës i “formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijës i bandave kriminale”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, pak kohë pas arrestimit të tij.
“I njëjti ka qenë edhe organizator kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, tha Sveçla. Aksioni i Policisë së Kosovës për arrestimin e tij u zhvillua në Mitrovicë të Veriut.
Për aktivitetet e Millenkoviqit në internet nuk ka shumë informacione publike. Merret vesh se ai është trajner i klubit të kikboksit “Kosovska Mitrovica” (“Mitrovica e Kosovës”) dhe se ka marrë pjesë në emisione televizive në Serbi, transmeton Paparaci.
Sipas intervistave që ka dhënë Millenkoviq, ky klub e ka bazën në pjesën veriore të Kosovës dhe ka më shumë se 100 anëtarë.


